E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, 1 në 5 fëmijë jeton në varfëri

Monitorohen 8 qarqe të vendit. Më problematike situata paraqitet në Qarkun e Kukësit dhe Dibrës

Një në pesë fëmijë në tetë qarqet e mëdha të vendit jeton në varfëri ekstreme, duke e mbajtur frymën gjallë vetëm me pagesën e ndihmës ekonomike. Më dramatike situata paraqitet në veri të vendit, e veçanërisht në rrethin e Kukësit, Tropojës, Dibrës, dhe Shkodrës, ku numri i fëmijëve që gjenden në skamje është më i lartë. Sipas një monitorimi të kryer gjatë vitit 2009 nga Aleanca Kombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe UNICEF, në 8 qarqe të vendit, Kukës, Dibër, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, rezulton se fëmijët në veri të vendit jetojnë në familje shumë herë më të varfra sesa fëmijët e Tiranës apo të pjesës qendrore të Shqipërisë. Drejtoresha e Observatorit të Fëmijëve në rang kombëtar, Elma Tërshana tha se niveli më i thellë i varfërisë mbi 50 për qind është vërejtur në zonat rurale malore, konkretisht në Qarkun e Dibrës dhe Kukësit. Sipas saj, numri më i madh i fëmijëve të varfër u vu re në Qarkun e Kukësit, konkretisht në rrethin e Kukësit 63.18 për qind, në rrethin Hasit, 45.9 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri, ndërsa në rrethin e Tropojës, numri i fëmijëve të varfër arrin në 32.71 për qind. Sipas analizës së UNICEF-it dhe aleancave për të drejtat e fëmijëve, numri i familjeve që kanë fëmijët në shkollë, pra nga 6 deri në 15 vjeç, që për shkak të varfërisë marrin ndihmë ekonomike, është në nivele shqetësuese në Qarkun e Kukësit me 51.98% ose 11.000, ndërsa në Durrës kjo përqindje është 50 herë më e vogël, pra 1220. Raporti për të drejtat e fëmijëve tregoi se ndonëse jetojnë në varfëri, fëmijët në zonat malore frekuentojnë më shumë arsimin e detyruar dhe atë të mesëm. Kështu, frekuentimi më i ulët i arsimit të detyruar është vënë re në Qarkun e Vlorës, rreth 49.35 për qind. Pas një viti, me mbështetjen e UNICEF-it do të publikohet raporti për të drejtat e fëmijëve në 12 qarqet e vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›