E Diel, 1 Nëntor 2026

Poliçani, qyteti “ushtarak” që jeton me frikë

 

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

Dhjetëra makina ushtarake të ngarkuara me predha luftarake zbarkojnë thuajse çdo ditë në kombinatin e Poliçanit. Por, nëse më parë kjo shkaktonte shumë përshtypje, tragjedia e Gërdecit i ka bërë banorët e qytetit “ushtarak” t’i tremben përsëritjes së saj.
Distanca e kombinatit, ku bëhet demontimi i predhave të kalibrave të ndryshëm me shtëpitë e banuara nuk është më shumë se 100 metra. Por, si të mos mjaftonte ky fakt, shumë pranë depove një tjetër rrezik ekziston prej vitesh. Vetëm 15 metra larg repartit të demontimit ndodhen depo të mbushura me zhivë e lëndë kimikate shpërthyese. Një shkëndijë e vogël nga çmontimi i municioneve mund të provokojë shpërthimin e fuqishëm, e ndoshta pasojat mund të jenë me të rënda se ato të Gërdecit. Në kombinat nuk lejohet të futet askush tjetër veç 250 punëtorëve dhe drejtuesve të saj. Këta të fundit janë hermetikë për çdo të dhënë, ndonëse pranojnë se qytetit të tyre i kanoset një rrezik i madh nga demontimi dhe sasia e madhe e zhivës dhe tritolit, që ndodhet nëpër depo. Në repartin e çmontimit të predhave punojnë 90 punëtorë. Shumica burra, por edhe plot gra punojnë për bukën e gojës, duke shpresuar se puna që ato bëjnë është e sigurtë, të paktën nga parametrat teknikë. Por, inspektimi i një jave më parë të ambienteve të kombinatit nga tre oficerë të Gërdecit, duket se i ka trembur punëtorët. Burime brenda kombinatit ushtarak bëjnë të ditur, se që pas ngjarjes të Gërdecit, Ministria e Mbrojtjes mori vendim, që çmontimi i predhave luftarake të kryhej në Poliçan. “Tashmë, qyteti kanoset nga sasia e madhe e zhivës dhe një tjetër kimikat më i rrezikshëm, tritol rezociunetrit plumbi (TNRP), të cilët ndodhen fare pranë objektit ku kryet çmontimi i predhave”, bëjnë të ditur burimet nga kombinati, që nuk duan të identifikohen. Sipas tyre, në këto depo ndodhen plot 130 kilogramë lëndë shpërthyese. Kryetari i degës së kuadrit dhe anëtari i këshillit drejtues të kombinatit, Zamir Celibashi pohoi rrezikun e këtyre lëndëve afër repartit të çmontimit. Sipas tij, reparti ndahet në dy pjesë: në njërën bëhet çmontimi i predhës, ndërsa në pjesën tjetër është reparti kimik, me lëndën e rrezikshme. Lënda kimike nëpërmjet avujve të nxehtë kalon në termostat e më pas, nëpërmjet temperaturës që prodhohen nga avujt, kalon në gjendje të shkrirë, nga ku paketohet për t’u shitur. Ai pohoi se donatorët amerikanë kanë kërkuar me insistim, që këto depo të asgjësohen pasi janë vatër rrezikshmërie. Ndërkaq, drejtori i komanduar i kombinatit ushtarak, Adrian Spaho shprehet me rezerva për situatën. Spaho pohoi se depot me lëndë kimike janë të rrezikshme dhe po punohet për të shmangur katastrofën, e cila kanos 5 mijë banorët e qytetit. Punëtorët e kombinatit punojnë për të marrë një rrogë mesatarisht prej 20 mijë lekësh, e vendosur nga komisioni në ndërmarrje në bazë të kategorive dhe aftësive. Shumë prej tyre ishin me asistencë dhe nuk kishin asnjë mundësi tjetër punësimi në qytet. Ndaj me gjithë rrezikun që i kanoset, ata u futën brenda kombinatit ushtarak, duke punuar me predha dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm.

“Kimikatet rrezikojnë jetën”

Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka, u shpreh dje se ka kërkuar në rrugë institucionale, që sasia e madhe e lëndëve kimike të largohen nga kombinati. “Nga këto lëndë helmuese, vdekshmëria në qytet është e lartë. Ndërsa mosha mesatare e personave, që kanë punuar në këtë kombinat nuk i kalon 50 vjeç”,  u shpreh kryebashkiaku Zotka. Sipas tij, kjo ndodh pasi ata kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me kimikate, si cianur, zhivë etj. Më tej, Zotka pohoi se 5 për qind e fëmijëve të Poliçanit lindin me defekte në zëmër, mëlçi dhe në organet e frymëmarrjes. “Ne i bëjmë thirrje qeverisë, që t’i kthejë sytë nga Poliçani. Ai radhiti disa probleme në qytet, duke renditur këtu edhe problematikën e ujësjellësit, për të cilën u dyshua se helmimi i banorëve ishte për shkak të ujit të kontaminuar me lëndët kimike të kombinatit ushtarak. Ish-punonjësi i këtij kombinati, Zaim Zaimi, pohoi se jeton me frikë. Sipas tij, 80 veta në qytet kanë vdekur nga sëmundjet kancerogjene. Të njëjtin fakt pohojnë edhe disa banorë të qytetit, të cilët i bëjnë thirrje shtetit të marrë masa sa nuk është vonë. Kreu i bashkisë, Adriatik Zotka pohon se Ministria e Mbrojtjes duhet të garantojë jetën e qytetarëve para se të çojë në Poliçan predhat luftarake për t’i çmontuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›