Itali-Shqipëri, bien dakord për shkurtimin e procedurave të ekstradimeve reciproke
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj vizitë në Itali, takohet me homologun Angelino Alfano
TIRANE - Ministritë e Drejtësisë të Italisë dhe Shqipërisë kanë rënë dakord për ngritjen shumë shpejt të një grupi pune që do të bëjë të mundur shkurtimin e procedurave të transferimit të të dënuarve shqiptarë në Itali. Kjo është bërë e ditur nga Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj që dy ditë më parë zhvilloi një vizitë zyrtare në Itali duke u takuar me homologun e tij italian Angelino Alfano.
Gjatë kësaj vizite Alibeaj siguron mbështetje për reformën në gjyqësor si dhe jep garanci për ekzekutimin e shpejtë të marrëveshjes së transferimit me Italinë.
“Shqipëria nuk do të jetë më vendi ku strehohen persona kriminalë. Persona të cdo lloj nacionaliteti nuk do të mund të gjejnë në Shqipëri parajsën për të thyer ligjin”, deklaroi Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, duke shprehur vullnetin politik të qeverisë shqiptare.
Në kuadër të këtij vullneti, ministri deklaroi më tej se Ministria e Drejtësisë po punon dhe po jep produkte konkrete në lidhje me procesin e transferimit të të dënuarve .
“Një numër i konsideruar, mbi 50 raste (të shqiptarëve që vuajnë dënimin në Itali ) kanë njohur fillimin e procedimit të ekzekutimit. Ka kaluar faza e njohjes së vendimit dhe jemi thjesht, dhe vetëm në fazën e ekzekutimit të tyre. Kjo sepse tashmë në Shqipëri ekziston mundësia, me ndërtimin e burgjeve të reja, që të mund të operojmë me transferimin e tyre nga Italia”, deklaroi Ministri Alibeaj.
Më tej ministri u shpreh edhe për fatin e ekzekutimit të vendimeve penale italiane në Shqipëri.
“Pothuajse të gjitha kërkesat e bëra nga shteti italian janë në fazën e zbatimit , vazhdojnë procedurat gjyqësore të njohjes së këtyre vendimeve, proces që po monitorohet nga Ministria e Drejtësisë, dhe që me kënaqësi po konstatojmë se pjesa me e madhe e vendimeve po ekzekutohen. Fillimet e mira të këtij procesi janë të rëndësishme, Ato dëshmojnë jo vetëm për vullnetin e mirë të bashkëpunimit në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve por edhe një vullnet politik të padiskutueshëm të qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar”, tha Alibeaj.
Nga ana e tij ministri italian i Drejtësisë, Angelino Alfano, u shpreh se ishte i gatshëm për ngritjen e një grupi pune mes dy institucioneve që do të bënte të mundur shkurtimin e procedurave të transferimit të të dënuarve shqiptarë në Itali.
Propozim që u mirëprit edhe nga Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.
Ministri italian i Drejtësisë u shpreh optimist për rezultatet pozitive në bashkëpunimin dy palësh të cilat sipas tij do të rriten edhe me ratifikimi në një kohë sa më të afërt nga ana e Parlamenti Italian i “Marrëveshjes Shtesë të Konventës Evropiane të Ekstradimit dhe Konventës Evropiane për ndihmë të ndërsjellët gjyqësore në fushën penale, që synon të lehtësojë zbatimin e tyre” miratuar tashme nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo për sa i përket ekzekutimit të vendimeve penale të gjykatës italiane dhënë ndaj këtyre shtetasve.
Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe në fushën e drejtësisë si dhe shprehja e angazhimit dypalësh për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar që vepron në të dy anët e kufirit, reformën në gjyqësor si dhe ndryshimet në legjislacionin vendas përshtatur me atë evropian ishin në qendër të bisedimeve edhe në takimin që Ministri i Drejtësisë, Alibeaj pati me zëvendësministrin e Brendshëm Italian dhe Kryetaren e Komisionit të Drejtësisë së Dhomës së Deputetëve, zonjën Giulia Bongiorno.