E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, akuza për trafik kokaine për Nazmi Hykën



U arrestua me 14 persona të tjerë për trafik lëndësh narkotike Spanjë-Itali. Hyka, i dënuar me 25 vjet burg, figuron në listën e 10 më të kërkuarve nga Interpoli

I dënuar si përgjegjës për tragjedinë e 9 janarit në vitin 2004 dhe vdekjen e 21 personave, 45-vjeçari nga Shkodra Nazmi Hyka akuzohet tashmë nga drejtësia e shtetit fqinj edhe për trafik ndërkombëtar të kokainës. I arrestuar një vit më parë nga policia e Firencez, Hyka rezulton në listën e 10 personave të shumëkërkuar nga Interpoli shqiptar, dhe po kaq i kërkuar tashmë edhe nga drejtësia italiane, por kësaj radhe për trafik kokaine. Sipas të dhënave të bëra publike dje nga mediat italiane, të cilët u janë referuar të dhënave të policisë së shtetit fqinj dhe prokurorit Ettore Squillace Greco, Hyka është arrestuar së bashku me 14 persona të tjerë, pasi mbi ta rëndon akuza e “trafikut ndërkombëtar të shpërndarjes së substancave narkotike” Spanjë-Itali. Ishte pikërisht një operacion për zbulimin e një rrjeti për trafikun ndërkombëtar të kokainës të importuar nga Spanja që ka çuar në arrestimin e 15 personave, mes të cilëve edhe shqiptari Nazmi Hyka. Policia ka sekuestruar edhe 12 kilogramë substancë narkotike me një vlerë prej 360 000 eurosh në kuadrin e operacionit “Moro 2007” dhe arrestoi 15 personat me origjinë italiane e shqiptare, si dhe kontrolloi imtësisht 60 vende që mendohej se frekuentoheshin nga shtetasit e vënë në pranga. Operacioni është realizuar nga karabinierët italianë të Firences. Të gjithë të arrestuarit janë akuzuar për trafik ndërkombëtar dhe shpërndarje substancash narkotike. Nazmi Hyka drejtonte një bandë kriminale të përbërë nga pesë shqiptarë, dhe që merrej me transportin e drogës nga Spanja drejt Italisë. Organizata funksiononte në dy drejtime, njëra bandë e drejtuar nga Hyka dhe e përbërë nga 5 shqiptarë, kryente transportin e drogës nga Spanja në Itali, ndërsa banda e dytë, e përbërë nga 10 italianë, kishte si detyrë shpërndarjen dhe shitjen e kokainës në tregun toskan, në mënyrë të veçantë në Mugello, Firenze, Prato, Pistoia, Pisa, Luçia dhe Arezzo. Fakti i arrestimit të Hykës është bërë publik një vit më parë nga Interpoli Shqiptar, ndërkohë që prokurorët që hetuan këtë organizatë kriminale nxorrën në dritë edhe emrin e Hykës si i përfshirë në trafikun e kokainës, madje si kreu i bandës që e trafikonte drejt Italisë. Ndoshta, dalja në skenë e një fakti të tillë do vonojë ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, për ta vënë përballë akuzave dhe gjykimit në Itali. Së bashku me skafistë të tjerë, Hyka tentoi të kalonte në mënyrë klandestine një numër të konsiderueshëm shqiptarësh drejt brigjeve italiane, por që për fat të keq, 21 prej tyre humbën jetën si pasojë e përkeqësimit të motit. Gjykata e Vlorës e dënoi Hykën me 25 vjet burg, si dhe masa të tjera dënimi për skafistët e tjerë të përfshirë në tragjedinë e 9 janarit 2004.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›