E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet me kallashnikov 50-vjeçari Hysenaj



Grupi hetimor, tre drejtime ku po hetohet për vrasjen

Policia, vrasja e mirorganizuar dhe lëvizjet e mbikëqyrura

Ekzekutohet me automatik kallashnikov brenda në makinën e tij 50-vjeçari Enver Hyseni. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme në fshatin Shirq të komunës së Dajçit në Shkodër. Sipas policisë së Shkodrës kemi të bëjmë me një vrasje të miroganizuar, pasi autorët kishin mbikëqyrur lëvizjet e tij dhe e kishin realizuar atë në një orë të vonë të natës, në periferi të fshatit, me qëllim largimin në kohë dhe humbjen e gjurmëve. Viktima Enver Hyseni ekzekutua me automatik kallashnikov vetëm dy kilometra larg banesës së tij në fshatin Shirq. Policia, e cila ka ndërtuar ngjarjen sipas të dhënave të grumbulluara në vendngjarje por edhe duke pyetur dëshmitarë që kanë parë deri vonë viktimën, konfirmon se vrasja ndodhi një orë para mesnate. Vrasja është kryer në afërsi të shkollës 9-vjeçare të fshatit, ndërsa viktima po lëvizte në aksin rrugor Dajç-Darragjat, me një makinë tip fuoristradë “Benz ML”, me targa KHA 5859. Sipas hetimeve të para autori i vrasjes mund të ketë ndjekur lëvizjet e viktimës. Sipas policisë, në orët e vona të natës, kur Enver Hyseni po kthehej në shtëpi, autori i ka zënë pritë në një kanal të mbuluar me ferra, vetëm 2 kilometra larg banesës dhe ka qëlluar me automatik. Sipas dëshmive të grumbulluara, para vrasjes, 50-vjeçari Enver Hyseni kishte qëndruar në një lokal të fshatit dhe prej aty ishte larguar pak pas mesnatës. Errësira e plotë ka ndihmuar autorin të largohej nga vendi i ngjarjes. Ende nuk ka të dyshuar, dhe nuk dihen motivet e vrasjes, ndërsa policia po merr në pyetje personat që ndodheshin në lokal. Ngjarja ka ndodhur në një rrugë periferike dhe kjo ka bërë që trupi i pajetë i viktimës Hysenaj të gjendej pas një ore nga banorët e fshatit.

Policia

“Nuk ka ende persona të dyshuar dhe as ndonjë motiv për ngjarjen e ndodhur”, - thanë burimet e policisë, duke shtuar se vijojnë hetimet për zbardhjen e krimit. Ndërkohë që burime policore kanë pohuar se përderisa lëvizja e fundit e viktimës ka qenë qëndrimi në një nga lokalet e fshatit, këtu duhet të nisë edhe hetimi. Burimet policore kanë bërë të ditur se deri tani janë marrë në pyetje të gjithë personat që kanë qenë në lokal deri vonë me viktimën. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se po hetohet në disa pista, atë të vrasjes për ndonjë hakmarrje të mundshme, atë për larje hesapesh, apo dhe të ndonjë konflikti për pronësi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›