E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata e Gjyqtarëve padit projektligjin për administratën gjyqësore



Dorëzohet një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e disa neneve. Shoqata i drejtohet Parlamentit për të mos miratuar këtë projektligj

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar dje mbi projektligjin për administratën e gjyqësorit, duke i kërkuar Parlamentit të mos e miratojë atë, ndërkohë që i ka dorëzuar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e disa neneve të këtij projektligji. Kryetarja e kësaj shoqate, Manjola Bejleri, ka bërë të ditur dje në një konferencë për shtyp se në diskutimet që ishin bërë mbi këtë projektligj, nuk ishin përfshirë as gjyqtarët, por as administrata e gjyqësorit, si dhe grupi i punës së KLD-së në hartimin e saj. Sipas saj, ky projektligj cenon pavarësinë e gjyqësorit. Bejleri ka argumentuar dy pika në të cilat preket edhe pavarësia e tyre. Pikërisht, sipas saj, janë nenet 37 dhe 38, në të cilat përcaktohen kompetencat e kancelarit. Me ndryshimet që janë bërë, të gjitha kompetencat në këtë projektligj i kalojnë kancelarit të gjykatës, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ana e ministrit të Drejtësisë. “Që në pamje të parë të leximit të këtyre dispozitave ligjore të njëpasnjëshme, por edhe në lidhje me dispozitat e tjera të këtij ligji, vërehet qartë se “administrimi i shërbimeve në gjykatë”, i kryesuar nga “kancelari i gjykatës”, në fakt do të thotë që ky administrim është nën varësi direkte vertikale të ministrit të Drejtësisë. Kjo, për arsyen e thjeshtë se “kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë”, - sqaroi dje kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve. Sipas saj, Kushtetuta sanksionon se “gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”. Ndryshimet e përcaktuara nga ligji nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” cenojnë tre komponentët e pushtetit gjyqësor. Ato janë pavarësia organizative, pavarësia funksionale dhe pavarësia financiare. “Projektligji “Për administratën gjyqësore”, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, i pasuar dhe nga rregullorja për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore, është rrjedhojë e këtyre dispozitave që për ne konsiderohen si të papajtueshme me Kushtetutën. Ritheksojmë qëndrimin tonë kritik lidhur me mospërfshirjen e gjyqtarëve (pavarësisht kërkesave tona të përsëritura) dhe as të administratës gjyqësore në diskutimin e këtij projektligji”, - ka vazhduar Bejleri. Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë e ka cilësuar shpejtësinë me të cilën është kryer ky proces se nuk ka të bëjë aspak me norma demokratike dhe vë në dyshim zgjidhjet më të mira për reformën në drejtësi. “Të pretendosh se kjo gjë bëhet në të mirë të punës në gjyqësor, është fyerje jo vetëm për inteligjencën e gjyqtarëve, por edhe të kujtdo tjetër që aspiron për një shtet të së drejtës”, - ka mbyllur fjalën e saj kryetarja Bejleri, duke kërkuar edhe rrëzimin e këtij projektligji.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›