E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me 11 kg hashash, arrestohet 30-vjeçari Murati



I gjenden dy armë zjarri dhe 750 fishekë në banesë

Destinacioni i shitjes së drogës, tregu kryeqytetas

Kapet me 11 kg hashash dhe dy armë zjarri, arrestohet një i ri në afërsi të kryqëzimit “Siri Kodra” në Tiranë. 30-vjeçari nga Kruja është arrestuar në flagrancë nga uniformat blu të policisë së kryeqytetit, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në makinën e tij me targa të huaja, është gjetur një sasi e konsiderueshme kanabis sativa. Ndalimi i Shefqet Muratit, lindur dhe banues në Noj të Krujës, është bërë dy net më parë, rreth orës 21:00, në kryqëzimin pranë rrugës “Siri Kodra”. Sipas të njëjtave burimeve, policia kishte rënë në gjurmët e tij prej kohësh dhe në sajë të operacionit të koordinuar me emrin e koduar “Qafë Shtama” nga seksioni Kundër Drogës pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, është bërë ndalimi në flagrancë i 30-vjeçarit. “Mbi bazën e zotërimit të shumë informacioneve operative, mbi prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, u arrit identifikimi dhe lokalizimi i vendndodhjes së shtetasit, mbartës të kësaj lënde, i cili dyshohet të jetë Shefqet Murati, 30 vjeç, lindur dhe banues në Noj, Krujë”, - thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës. Gjatë një kontrolli të imtë, të ushtruar në makinën e tij me targa të huaja, nga agjentët e Antidrogës është gjetur një sasi prej 11 kg lëndë narkotike, për të cilën dyshohet se është marijuanë, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij në Krujë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, edhe dy armë zjarri, si dhe një sasi e konsiderueshme municioni. Gjithashtu, po sipas burimeve zyrtare policore, u sekuestrua shuma e parave prej 20 000 lekësh dhe 600 euro, të cilat dyshohet se i ka përfituar nga shitja e kësaj lënde narkotike. Sakaq u bllokuan dy armë zjarri, 750 fishekë luftarakë, një automjet tip “Golf”, si dhe një pasaportë. Të gjithat materialet hetimore të përpiluara nga ky aksion i kaluan prokurorisë së Tiranës, për ndjekje të mëtejshme të të dyshuarit, ndërkohë që akuzohet për veprat penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “armëmbajtjes pa leje të municioneve”.

Detaje

11 kg marijuanë iu gjetën të fshehura në makinë

2 armë zjarri iu gjetën të fshehura në banesë në Krujë

750 fishekë luftarakë i gjenden 30-vjeçarit pas arrestimit

20 mijë lekë dhe 600 euro të kapura, dyshohen nga shitja e drogës

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›