E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Zgjedhore, Mediu: Po trajtohen çështje teknike, jo thelbësore

TIRANE - Partitë e vogla parlamentare shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj dy forcave kryesore politike, lidhur me çështjet që duhen trajtuar në tryezën për reformën zgjedhore. Pas përfundimit të tryezës, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i ka cilësuar humbje kohe diskutimet që po bëhen në komisionin e reformës, ku sipas tij nuk trajtohet thelbi i problemit, por çështje teknike.

“Ne na u vendos përpara një axhendë pune e komisionit e cila bazohet thjesht mbi çështje teknike të reformës zgjedhore, duke devijuar nga diskutimi në thelb, duke filluar që me çështje të sistemit zgjedhor, probleme që kanë të bëjnë me formulën e përllogaritjes së deputetëve. Për sa kohë në nuk do të arrijmë që të gjykojmë politikisht, unë nuk e di pse duhet të jem në një komision të reformës zgjedhore.”,- u shpreh Mediu.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në komisionin për reformën zgjedhore Damian Gjiknuri ka sqaruar se fillimisht komisioni po fut në axhendë problematikat e vërejtura nga OSBE/ODIHR, për t’u lënë vendin më pas shqetësimeve të ngritura nga partitë politike.

“Kur të dëgjojmë opinionin e të gjitha partive politike për sistemin zgjedhor, patjetër që ky proces do të dojë një konsensus politik dhe do të zhvillohet në rrugë e sipër.”-, u shpreh Gjiknuri.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›