Kriza tkurr depozitimin e parave
Fabiola Çela
Tkurret depozitimi i parave në banka. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit 2008 është ulur ritmi i rritjes së depozitave. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kreditë. Shkak për këtë duket se është kriza globale financiare. Një rënie e tillë ka ndodhur edhe pse sistemi bankar në Shqipëri nuk është infektuar nga kjo krizë globale.
Depozitat
Shqiptarët kanë rrudhur paska dorën në depozitimin e parave të tyre në banka. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e depozitave me afat në vitin 2008 arrinte vlerën prej 262,261 milionë lekë. Krahasuar me të dhënat e dy viteve më parë, vihet re një ngadalësim i ritmit të rritjes së depozitave. Peshën më të madhe në totalin e depozitave me afat e zënë depozitat e individëve. Sipas të dhënave nga BSH-së, në 2008-ën totali i depozitave me afat arriti vlerën prej 250,103 milionë lekë. Krahasuar me vitin 2007, rritja e totalit të depozitave është në vlera të ulëta. Shkak për këtë është kriza globale. Gjatë muajve të fundit të vitit 2008, shumë individë duke u ndikuar nga kriza ndërkombëtare, nisën të tërheqin paratë që kishin depozituar nëpër banka. Por këto tërheqje nuk ishin në vlera të mëdha. “Ritmi i depozitave me afat të individëve ka vijuar prirjen rritëse të gjysmës së parë të vitit, me përjashtim të dy muajve të fundit kur është shfaqur një ngadalësim i tij në rreth 15.6 për qind. Ecuria e depozitave me afat të bizneseve është karakterizuar nga një luhatshmëri e lartë. Zhvillimet e muajve të fundit në tregjet ndërkombëtare financiare janë shoqëruar me tërheqjen e një pjese të depozitave nga sistemi bankar, si pasojë e pasigurive të krijuara”, thuhet në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë.
Kreditë
E njëjta situatë paraqitet edhe me totalin e kredisë. Gjatë vitit 2008 është vënë re një tkurrje e ritmit të rritjes së kredidhënies. Gjatë vitit 2008 bankat kanë dhënë më shumë kredi për sektorin privat. Ndërkohë për sa i përket individëve, rritja e nivelit të kredidhënies ka qenë në nivele më të ulëta krahasuar kjo me vitet e mëparshme. Në ndryshim nga vitet e tjera, gjatë 2008-ës bankat kanë shtrënguar dhënien e kredive.
Kredi-depozita
Totali i kredisë për ekonominë(mln lekë)
2008 2007 2006
388,577 287,555 191,211
Sektori privat
2008 2007 2006
240,653 180,957 126,512
Individë
2008 2007 2006
134,717 102,585 64,470
Depozita me afat
2008 2007 2006
262,261 256,406 230,234
Sektori privat
2008 2007 2006
10,197 6,326 8,981
Individë
2008 2007 2007
250,103 247,128 219,390