E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martin Camaj dhe dramat e panjohura

Shumë pak e njohim. Poezitë disi më shumë, pak më pak prozën dhe aspak dramaturgjinë. 

ANILA MEMA

Martin Camaj, shkrimtari, poeti dhe albanologu i lindur në Temal të Dukagjinit në vitin 1925, është dhe dramaturg. Ka gjithsej dy drama “Lojë mbasdreke” dhe “Kandili i argjendtë”, të botuar në vitin 1995, por të panjohura nga publiku i gjerë, të pastudiuara. Ndërkohë Behar Gjoka, studiuesi që prej vitesh jeton me veprën e Camajt, në një vepër që mendohet të dalë pak kohë më vonë në treg, ka përfshirë edhe dramat e tij.
Ndonëse është autori i letërsisë bashkëkohore, në përgjithësi Martin Camajn, ka studiues që e përcaktojnë si shkrimtar i letërsisë së kaluar. “Në një farë mënyre ky është tregues i mosnjohjes dhe pak a shumë mosnjohja e librit me situatën gjuhësore me letrare të Camajt, gjuhësore: sepse ka shkruar gjatë gjithë jetës së vet gegnishten e pastër dhe letrare, sepse në një farë mënyre është autor që ka lëvruar të gjitha gjinitë letrare. Studimet e pranojnë si poet me shumë kufizime, e përmendin si prozator, por pa ia njohur vlerat si dramaturg. Në fakt, pjesa e dramës është befasi në krijimtarinë e tij letrare. Janë dy tekste, drama “Loja mbasdreke” që ka një temë të gjakmarrjes, si dhe “Kandili i argjendtë”, që flet për Shqipërinë pas viteve ‘44. Ka dy probleme të ndjeshme edhe sot, por bën përshtypje mënyra se si ato paraqiten”, tregon studiuesi Gjoka.
“Loja mbasdreke” e Martin Camajt
Drama e parë, mbase më e fuqishmja në kuptimin letrar, si skena dhe kolizion dramatik, hapet me një vdekje të radhës. Një ndarje nga jeta e dikujt që bëhet shkak për të ndezur fitilat e gjakmarrjes, e tmerrit të pafund që i ka rropusur supet dhe fatin e shqiptarëve. I ndjeri, ai që ka ikur tek të shumtit, gjithnjë si parathënie tekstuale, në formën e amanetit e kishte lënë me fjalë, që në drekën e përcjelljes së tij të shtrohej gosti me mish dhe raki. Një shaka apo lojë e hollë. Pas drekës, pas replikave të ashpra, të vrazhda deri në mahi, të pranishmit vrapojnë për tek armët dhe vriten njëzet e katër burra. Nga ata shpëton vetëm një person dhe ky person pas 50 vjetësh përjeton akoma atë tmerr. Ka një përpjekje të zgjidhjes së problemit në rrugë ligjore, por nuk e vërteton dot askush se dëshmitarët mungonin dhe për këtë arsye ai ishte pjesë e ngjarjes, por vazhdimisht e fshihte ngjarjen. Dhe autori i gjeti, futi një personazh që fillon dhe luan një lojë komike e tragjike dhe e detyron ta pohojë të vërtetën, siç ka ndodhur. Dhe në momentin që atij pritej t’i jepej dënimi, kishte ndërruar jetë. “Në këtë situatë, do të thosha të jashtëzakonshme në kuptimin dramatik, të zgjidhur nëpërmjet dy pjesëve të kësaj drame si dhe përmes prologut dhe epilogut, për mua është nga ato raste që ka jo vetëm thjeshtë si temë, si mesazh, por si dialog, si gdhendje personazhesh, rrëzëllitje shekspiriane”, tregon Gjoka.
Dramaturgjia nuk është në krizë
“Këto dy drama të bëjnë të besosh se dramaturgjia shqipe nuk është aq e varfër sa ç’e prezantojnë studime të mjera shqiptare dhe sa ç’e përcjellin regjisorët. Drama shqipe ka nivel, por nuk diskutohet që një autor, i cili nuk është vënë në skenë, është e vështirë të kuptohet. Po të vësh re, dramaturgjia a teatri pak a shumë merret me ato pjesë që kanë një model, por unë do të thosha se ne kemi dramë të mirë shqipe”, tregon më tej Gjoka. Botimet e dy dramave të Martin Camajt janë realizuar në vitin 1995 me një fond të akorduar nga Ministria e Kulturës së asokohe, botuar në Maqedoni nga shtëpia botuese “Apolonia”. “Askush nuk është marrë me këto drama, por unë do të thosha se sidomos drama e parë, ‘Lojë mbasdreke’, është e nivelit ekzistencialit dhe do t’i bënte nder teatrit. Do t’i bënte nder çdo aktori, pasi aty ndodh ndërthurja e komikes, tragjikes, dramatikes. Dhe është dramë që do të kërkonte aktor kompleks dhe regjisurë komplekse, dhe unë do të thosha që më bën përshtypje se në Shqipëri nuk kanë pasur rastin ta njohin Camajn, por në Prishtinë nuk i janë qasur aspak. E do të ishte nder që ai teatër që do merrte nëpër duar këto dy drama, padyshim që do të sillte pamje konkrete që shkakton gjakmarrja”, shpjegon Gjoka, i cili vazhdon të këmbëngulë në idenë se Martin Camaj do vazhdojë të mos pranohet ende, pasi shpjegimi për të këtë vjen, pasi nuk e përfilli fare modelin letrar shqiptar, as nuk e shau, as nuk iu kundërvu, por realizoi një model tjetër letrar, eci në rrugë personale. “Camaj është i nivelit evropian dhe këtë e kanë thënë kritikë të huaj, të cilët nuk të kursejnë nëse ke mungesa dhe nuk të pranojnë lehtësish”, shton studiuesi, i cili prej kohësh po punon për studimin e krijimtarisë së poetit, prozatorit dhe dramaturgut shqiptar. Në vepër ka menduar që një kapitull më vete t’ia kushtojë dramaturgjisë, ku fillimisht merret me dy tekstet e më pas bëhet analizë e hollësishme e personazheve.

“Kandili i argjendit”

Drama e dytë “Kandili i argjendit” flet për fillimin e viteve të sundimit komunist dhe, sipas Gjokës, ky është i vetmi tekst ku autori merret me këtë temë. Ngjarjet vendosen në Shkodër dhe janë disa personazhe, të cilët mendohet se bëjnë pjesë tek armiqtë e kohës së luftës, dhe për këtë arsye sigurimi shpik që pranë shtëpisë së tyre do të kalonte rruga. Në fakt, ata dyshojnë se aty kishte argjend ose ar. Por e gjithë pasuria e tyre është një kandil argjendi dhe asgjë tjetër, ndërsa ata kërkonin prej tij të rrëmonin pikërisht këtë aspekt. “Tek kjo dramë, loja është pak më e fshehtë. Loja është më tronditëse. Madje, aty ka një personazh që quhet shkrimtari, për mua është vetë autori, që prek se çfarë ndodh me njeriun dhe qenien nga ky sistem dhe për këtë arsye ai largohet, për arsye të paaftësisë për t’u shprehur lirshëm. Edhe kjo dramë është e ndërtuar me pjesë me pamje, me situatë, ku do të thosha se përfaqësuesi i sigurimit ndjek, verifikon, ecën, deri tek fundi i shkatërrimit të kësaj familje. Është pak a shumë ideja që sistemi që po vjen do të sjellë atë që, në fakt u vërtetua, do të duhej të ndërrohej,
mësimi historik”, tregon Gjoka.

DRAMATIKA E NATYRËS SURREALE

Pjesë e vlertë e krijimtarisë letrare të Martin Camajt është edhe dramaturgjia, madje njëra prej shenjave letrare impresionuese, gati e harruar prej historiografisë së shqipes në të gjithë hapësirat. Nga lëmi i dramatikes interesante në mesazhe dhe imazhe, të shkruar prej tij, trashëgohen dy tekste letrare, përkatësisht «Lojë mbasdreke» dhe «Kandili i argjendit», ku edhe prekim aftësitë shkrimore në këtë gjini, në strukturim, dialog dhe veprim të personazheve, mbase një tip drame kualitative dhe jo fort të shpeshtë në letrat shqipe. Këto dy vepra dramatike, në thelbin e vetë sendërtues të dialogut dhe veprimit, skenave dhe imazhit që përcjellin, një aspekt i rëndësishëm i korpusit letrar të shkrimtarit, tashmë duhen vështruar dhe shqyrtuar në të gjithë shpërfaqjen e vetë të frymës, mesazheve, teknikës shkrimore dhe të shprehësisë letrare, për të prekur vlerat dhe për t’i vendosur ato më kontekstin e veprës së gjerë letrare të autorit, por edhe të dramatikës së shqipes, përgjithësisht. Vlerësimi i kësaj ane artistike të Camajt, pothuajse të munguar nëpër trajtimeve studimore të shqipes dhe më gjerë se sa kaq, por të prekshme në kuptimin letrar në këto dy tekste, luan rol për të fokusuar në të gjitha planet e përfaqësimit autorin, si dhe për të përforcuar idenë se letrat shqipe në lëmin e dramaturgjisë nuk janë krejt të zbehta, siç edhe vijon të kundrohen dhe interpretohen, pa u thelluar në të gjitha vatrat nga ana e historiografisë së shqipes.

Pjesë nga studimi i Behar Gjokës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›