Hungaria: Shqipëria, integrim sa më të shpejtë
Hungaria do të japë mbështetje për aspiratën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE dhe vlerëson politikat e moderuara të vendit tonë në Ballkan. Presidenti Bamir Topi takoi dje ministrin e Mbrojtjes së Hungarisë, Imre Szekeres, të cilin e garantoi: "Në këto momente, si vend anëtar i Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, ne jemi të gatshëm për nevojën e rritjes së standardeve të bashkëpunimit me vendet partnere të NATO-s, në përmbushje të misioneve të rëndësishme të saj". Nga ana e tij, ministri hungarez i Mbrojtjes theksoi: "Ne e shikojmë Shqipërinë si faktor qëndrueshmërie në rajon dhe e vlerësojmë shumë politikën e saj të kujdesshme e të moderuar në Ballkan". Po dje, z. Szekeres u prit dhe nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. “Hungaria do të japë mbështetjen e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, në mënyrë që ky proces të jetë i suksesshëm dhe ky integrim të jetë sa më i shpejtë". “Ristrukturimi i bazës ligjore, arritja e standardeve që kërkohen nga BE-ja, janë gjithashtu detyra të rëndësishme, që duhen të përmbushen", - tha z. Szekeres. Kurse ministri Oketa pohoi se Shqipëria është e vendosur të përmbushë të gjitha angazhimet e saj, duke shtuar: “Qeveria shqiptare është e vendosur të dëshmojë se, ashtu siç meritoi anëtarësimin në NATO, do të meritojë edhe anëtarësimin në BE”.
Qeveria, ok huas për Bashkinë e Tiranës
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme marrëveshjen e huas mes Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (EBRD) për financimin e projektit të zhvillimit të rrugëve të Bashkisë së Tiranës. Ky vendim mundëson financimin e projektit të rikonstruksionit dhe zgjerimit të Urës së Lanës, pranë Shkollës Teknologjike si dhe ndërtimin e Qendrës së Kontrollit pranë Bashkisë së Tiranës.