E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, në pranga 10 shqiptarë, grabisnin vila

10 shqiptarë janë arrestuar ditën e djeshme nga policia italiane, pasi akuzohen se kanë realizuar 61 vjedhje në disa muaj. Pas hetimeve disamujore, karabinierët italianë realizuan operacionin “Shpirti i zi”, që vuri në pranga një bandë të përbërë nga 11 veta, ku vetëm një person ishte nga Polonia. Të ndaluarit e operacionit “Shpirti i zi” janë Ardian Asani, 29 vjeç; Artijan Kasimi, 33 vjeç; Eduart Kasimi, 24 vjeç; Shkëlzen Cala, 33 vjeç; Genti Vrapi, 31 vjeç; Alfred Vathaj, 23 vjeç; Hajri Cala, 19 vjeç; Vath Hasani, 31 vjeç; Iliri Karaj, 34 vjeç; Klodian Tuga, 25 vjeç. Me shqiptarët vepronte edhe polaku Lonia Lakotosz, 40 vjeç. Sipas policisë italiane, të arrestuarit vepronin në provincat e Savonës, Pavias, Piaçencas, Cuneos dhe Vareses, duke arritur që të vidhnin në total një shumë prej 500 mijë eurosh nga muaji maj i këtij viti deri në shtator. Grabitjet bëheshin gjatë orëve të natës, ndërsa në të shumtën e rasteve banorët e vilave ndodheshin në gjumë. Grabitësit hynin në banesa nëpërmjet dritareve, grabisnin paratë, telefonat celularë dhe bizhuteritë e çmueshme. Më pas, pasi largoheshin nga vendi i ngjarjes, ata grabitnin edhe autoveturat e pronarëve të shtëpive. Automjetet, që ishin të markave të shtrenjta, përdoreshin edhe më pas në grabitje të tjera. Policia italiane kishte nisur hetimin, pas një vjedhjeje të ndodhur në një rezidencë në Pietra Ligurie. Duket se grabitësit janë diktuar nga video-kamerat e vendosura brenda në vila, të cilat i kanë filmuar ata gjatë momentit të vjedhjes. Duke analizuar të gjithë vjedhjen, karabinierët kanë rënë në gjurmët e një hajduti, për të vazhduar më pas me hetimet dhe për të zbuluar të gjithë bandën. Kjo bëri që ata të realizoni në ditën e djeshme operacionin “Shpirti i zi”, që çoi në arrestimin e 10 shqiptarëve dhe një polaku, pjesëtarë të bandës.

Vjedhjet

Banda e grabitësve vepronte gjatë natës. Vendqëndrimi i tyre ishte qyteti i Lodit. Më pas ata niseshin në drejtim të krahinave të tjera të Piemontes, Ligurias, Lombardias dhe Emilian Romanes. Banda vepronte në orët e para të mëngjesit, nga ora 2 deri në 4. Veprimet e tyre brenda në shtëpi nuk zgjasnin më shumë sesa 5-8 minuta. Ata niseshin nga vendqëndrimi i tyre me dy makina, afroheshin përpara objektivit “të përzgjedhur” dhe më pas futeshin brenda duke realizuar vjedhjet. Më pas, pasi mbaronin gjithçka ata largoheshin menjëherë me makinat e tyre. Nëse policia arrinte që të binte në gjurmët e tyre, atëherë automjetet e përdorura braktiseshin dhe grabitësit arrinin të fshiheshin në pyll. Nëse gjithçka shkonte mirë, atëherë ata drejtoheshin në vendqëndrimin e tyre, për t’u përgatitur për operacionin e radhës.

“Shpirti i zi”

Ka qenë një vjedhje e ndodhur në një rezidencë në Pietra Ligurie. Ndërsa grabitësit ishin duke bërë “punën e radhës”, ata janë diktuar nga video-kamerat e vendosura brenda në vilë, të cilat i kanë filmuar gjatë momentit të vjedhjes. Duke analizuar të gjithë vjedhjen, karabinierët kanë rënë në gjurmët e një hajduti, për të vazhduar më pas me hetimet dhe për të zbuluar të gjithë bandën. Kjo bëri që ata të realizoni në ditën e djeshme operacionin “Shpirti i zi”, që çoi në arrestimin 10 shqiptarëve dhe një polaku, pjesëtarë të bandës. Operacioni u quajt kështu, për faktin se banda vepronte natën. Arrestimi i shqiptarëve nga policia italiane u bë ditën e djeshme në orën 05:00 të mëngjesit. Të arrestuarit po ktheheshin sërish në vendqëndrimin e tyre, pasi kishin realizuar punën e tyre të radhës. Por agjentët, të cilit kishin arritur që të binin në gjurmët e tyre, i arrestuan ata me gjithë “plaçkën” e vjedhjes së fundit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›