E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milano; Arrestohet shqiptari për shfrytëzim prostitucioni

Policia italiane ka arrestuar në Milano një shtetas shqiptar, pasi akuzohet për shfrytëzim prostitucioni. 24-vjeçari M.T. qëndronte në qytetin italian ku punonte si murator. Megjithatë, ky nuk ishte profesioni i tij i vetëm. Sipas policisë italiane, ai shfrytëzonte vajza shqiptare dhe rumune për prostitucion dhe arrinte që të fitonte brenda një dite 10 mijë euro. Nga kjo shumë 50% e fitimit përfundonte në duart e tutorit të ri, ndërsa pjesa tjetër ishte për vajzat e shfrytëzuara. Edhe më parë, shqiptari ishte dënuar për shfrytëzim prostitucioni dhe ushtrim dhune. Sipas policisë, i riu dallohej për aftësitë e tij në këtë punë, ku impononte me dhunë kërkesat e tij ndaj vajzave të shfrytëzuara. Ajo që nuk e respektonte marrëveshjen, do të bëhej objekt i dhunës së ushtruar nga tutori shqiptar. Dhe hetimi ndaj 24-vjeçarit nisi pikërisht nga një ngjarje e tillë. Nga një vajzë e re që në nëntorin e kaluar u rrah dhe më pas u përplas në tokë nga një makinë me shpejtësi, bëri që policia të niste hetimin, pas denoncimit të së resë. Por ka pasur denoncime të tjera të personave, të cilat ishin detyruar që të pësonin të njëjtin fat me dhunime, rrahje e shfrytëzime. Nisur nga kjo, policia e Milanos arriti që të arrestonte 24-vjeçarin shqiptar, që do të akuzohet për shfrytëzim prostitucioni, rrahje dhe dhunë seksuale.

Tiranë

Dy aksidente në kryeqytet, plagoset gardisti dhe juristi holandez

Dy këmbësorë janë plagosur ditën e djeshme në dy aksidente të ndodhura në kryeqytet. Aksidenti i parë ka ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku si pasojë e përplasjes së tre automjeteve është plagosur oficeri i Gardës, 44-vjeçari Myrteza Kadriu. Gardisti është plagosur nga një automjet me targa Vlore, që pasi e ka përplasur është larguar menjëherë nga vendngjarja. Ndërkohë një tjetër aksident ka ndodhur pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Edhe në këtë rast viktima ka qenë një këmbësor, por shtetas i huaj. 70-vjeçari Alfred Kundelam me nënshtetësi holandeze, jurist pranë Ministrisë së Ekonomisë, u aksidentua pas përplasjes së dy mjeteve. Burimet e policisë shprehen se dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Në të dyja rastet policia po heton shkaqet e vërteta të aksidenteve. Sipas policisë, në zonat e banuara, drejtuesit e automjeteve nuk e respektojnë këmbësorin, gjë që bëhet shpesh shkak për aksidente. Por, jo të rralla kanë qenë edhe rastet, kur këmbësoret nuk kanë respektuar vijat e bardha dhe si pasojë kanë mbetur viktimë e automjeteve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›