E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedh babanë, policia pranga 33-vjeçarit

Policia e Tiranës ka arrestuar 33 vjeçarin Astrit Tafa, i cili akuzohet për vjedhjen e parave në firmën e të atit, që i ishte lënë në administrim

Ngjarja ka ndodhur në kryeqytet, dy ditë më parë, kur Sulejman Tafa ka denoncuar në polici djalin e tij, 33-vjeçarin Astrit Tafan, që i kishte vjedhur shumën prej 4.7 milionë lekësh. Pas kësaj kanë qenë uniformat blu që kanë bërë dhe ndalimin e tij, duke e dërguar në qeli, nën akuzën e “vjedhjes”. Lajmi është bërë i ditur një ditë më parë nga burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit, të cilat kanë thënë se i arrestuari është me banim në Selitë, pasi dyshohet për vjedhje. Pas kësaj, ai është dërguar në qelitë e Drejtorisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje. Arrestimi i Tafës është bërë nga specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera. Ai është vënë në pranga në flagrancë në momentin kur ishte duke marrë shumën e parave, që e kishte ndarë nga llogaria e firmës që administronte.

Denoncimi

Shumat e arkëtuara gjatë vitit të fundit duket se nuk e kishin bindur të atin, i cili kishte filluar të dyshonte tek i biri 33-vjeçar. Pronari i firmës kishte filluar kështu që të mbante nën vëzhgim djalin e tij. Për disa muaj me radhë kishte vazhduar mbikëqyrja, deri kur pak ditë më parë, ai e kishte kapur të birin në momentet kur po manipulonte llogaritë e firmës me qëllim vjedhjen e saj. Pas kësaj ngjarjeje, Sulejman Tafa është nisur në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku ka denoncuar të birin se duke qenë në pozicion të administratorit të firmës, e vidhte atë duke i fshehur shuma të konsiderueshme parash. Policia ka marrë në dorë hetimet dhe gjatë dy ditëve më parë në momentin kur 33-vjeçari Astrit Tafa ka qenë duke marrë lekët nga arka e firmës së të atit, është arrestuar në flagrancë nga ana e efektivëve të Policisë së Tiranës.

Policia

Pas denoncimit të të atit, policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se ka vënë në pranga për akuzën e “vjedhjes” Astrit Sulejman Tafën, 33 vjeç, me banim në Selitë. Prangosja e tij është bërë pasi është denoncuar nga një person, (babai i të ndaluarit), i cili e ka akuzuar se në periudha kohe të ndryshme ka kryer vjedhje. Burimet zyrtare të uniformave blu të kryeqytetit kanë thënë gjatë ditës së djeshme se koha kur është kryer vjedhja është një vit, dhe kjo gjatë vitit të fundit, kur ai kishte marrë në dorë firmën e të atit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›