E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë; Ministria e Drejtësisë nis dosjen për ekstradimin e Bashkim Drizës

Ish-kreu i firmës piramidale “Populli”, Bashkim Driza, pritet të ekstradohet së shpejti në vendin tonë. Dje, Ministria e Drejtësisë i ka dërguar dosjen hetimore, si dhe vendimin e gjykatës e cila e ka dënuar me 16 vjet heqje lirie në ngarkim të tij ambasadës italiane, e cila do të dërgohet drejt Uruguait, vend në të cilën edhe ra në pranga dy ditë më parë Driza. Vendimi i gjykatës, si dhe të gjitha provat që drejtësia shqiptare posedon kundër Drizës, do të vihen në dispozicion të këtyre autoriteteve, në mënyrë të tillë që të bëhet i mundur ekstradimi. Bashkim Driza, një ndër të fundit krerë të piramidave, u arrestua tri ditë më parë nga Interpoli në kryeqytetin e Uruguait. Driza ishte presidenti i firmës piramidale “Populli”, e njohur si një ndër kompanitë mashtruese më të mëdha në vendin tonë. Ai kishte arritur të mashtronte më shumë se 304 mijë shqiptarë, gjatë viteve 1996-‘97 është vënë në pranga pas shpalljes në kërkim të tij prej më shumë se shtatë vjetësh. Pas arrestimit të tij u konstatua se Driza ishte i pajisur me dy pasaporta, një urugujane dhe një të Republikës Domenikane. Autoritetet shqiptare prej disa kohësh kishin marrë informacione se 60-vjeçari i dënuar në vitin 2001 për mashtrime të qytetarëve shqiptarë, lëvizte i lirë në vendet e Amerikës së Jugut. Pas ndihmës së kërkuar nga homologët është bërë e mundur edhe kapja e tij. Aktualisht Driza ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa pritet të kryhet edhe ekstradimi i tij. Mbi Bashkim Drizën është ngritur akuza e “mashtrimit në bashkëpunim, në shuma të mëdha”. Pas shembjes së firmave piramidave në shkurtin e vitit të trazuar 1997, 60-vjeçari ishte shoqëruar nga policia, pasi ishte arrestuar. Deri në këtë moment ai kishte mbledhur nga shqiptarët një pasuri prej më shumë se 870 milionë lekësh. Por ditët e tij në qeli do ishin të pakta. Në mars të 1997-s, Driza do të dilte nga burgu, së bashku me mijëra të tjerë të burgosur. Që nga ajo ditë ai nuk ishte shfaqur më në skenë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›