Itali, pranga 22 personave për trafik droge, armësh dhe femrash
Trafiku i drogës mes Shqipërisë dhe Italisë ka vënë në pranga 22 persona, mes të cilëve disa shqiptarë. Karabinierët e Astit në Itali, janë duke bërë në këtë qytet dhe në zona të tjera të Piemontes dhe Lombardisë, arrestime dhe kontrolle. Njëzet e dy masa arresti janë lëshuar nga autoritetet gjyqësore. Në burg kanë përfunduar disa italianë dhe shqiptarë, të cilët janë akuzuar për trafiqe të ndryshme mes Italisë, Shqipërisë dhe Belgjikës.
Policia tha se të ndaluarit akuzohen për trafik kokaine, armësh dhe femrash me qëllim prostituimin e tyre. Gjithashtu është sekuestruar dhe një sasi e konsiderueshme kokaine, qindra orë dhe një automatik “Kallashnikov”. Në këtë operacion janë duke marrë pjesë 200 karabinierë dhe një njësi e helikopterëve.
Iu gjet kokainë në makinë, arrestohen dy shqiptarët
Dy shqiptarë janë arrestuar në Senigallia të Italisë për shkak se në makinën me të cilën udhëtonin janë gjetur 53 gramë kokainë dhe 3 mijë euro të dyshuara si para të ardhura nga shitja e drogës. Bëhet fjalë për dy punëtorë shqiptarë, të cilët udhëtonin me një makinë tip “Volkswagen Golf”. Policia ka ndaluar makinën për një kontroll rutinë duke zbuluar në airbegun e pasagjerit 53 gramë kokainë të ndara në 6 masa të vogla. Dy shqiptarët me iniciale D.M., 22 vjeç dhe M.K., 33 vjeç, janë arrestuar nga policia dhe janë dërguar në burgun e Montacutos, ndërkohë që makina dhe droga janë sekuestruar dhe po punohet për zbulimin e prejardhjes së drogës.
Tentoi vetëhelmimin, 35-vjeçarja piu në depresion një grusht ilaçesh
Tiranë – Një 35-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës në mënyrë tragjike, ndërsa ka gëlltitur një sasi të konsiderueshme medikamentesh. Burime nga bluzat e bardha thanë për gazetën se ajo tashmë po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Uniformat blu kanë dhënë si variant të parë pistën e vetëflijimit për shkak të një depresioni nervor. Uniformat blu kanë identifikuar se e vetëhelmuara quhet Bukurie Saliu dhe banon në kryeqytet. Po sipas tyre, 35-vjeçarja është gjetur në gjendje kritike për jetën në banesë dhe u dërgua me urgjencë për ndërhyrje mjekësore. Mjekët pohuan se gjendja e 35-vjeçares mbetet e rëndë për shkak të depërtimit të helmit në organet e saj jetësore. Pasi u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, nga deklarimet e marra nga familjarët e së dëmtuarës, rezulton se Bukurie Saliu ka pirë njëherësh disa medikamente në kushtet e një depresioni nervor. Policia ende nuk ka një version të shkaqeve që çuan 35-vjeçaren në përpjekjen për vetëflijim, pasi komunikimi i tyre me të, për shkak të gjendjes së saj kritike ka qenë i pamundur.
Greqi, pranga dy shqiptarëve me Cannabis
Policia greke shkatërroi dy organizata të trafikut dhe tregtimit të lëndëve narkotike në kryeqytetin Athinë. Të dy personat e rënë në pranga janë shqiptarë, 35-vjeçari Arben Dautaj dhe një 28-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të hetimeve.
Drejtoria e Policisë së Atikës njoftoi se janë shpallur në kërkim edhe 4 shqiptarë të tjerë të moshave nga 18 deri ne 28 vjeç. Policia ra në gjurmët e Dautajt falë informacioneve të marra nga disa shqiptarë të tjerë, të arrestuar vetëm para pak ditësh për tregti të sasive të vogla të narkotikeve. Ne momentin e kontrollit Dautajt iu gjeten të fshehura në banesën e tij, në lagjen “Palio Faliro” të Athinës, 106 kilogramë Cannabis, një peshore elektronike si dhe 1500 euro të përfituara prej tregtisë së drogës. Në operacionin e dytë të ndërmarrë mëngjesin e djeshëm, në lagjen “Patisia” të kryeqytetit grek, u sekuestruan 67 kilogramë hashash, një pistoletë me silenciator, 30 fishekë pushke automatike dhe 30 fishekë pistolete, të cilat u dërguan për ekspertizë balistike. Lista me emrat e personave të kërkuar u është dërguar pikave kufitare me Shqipërinë, por edhe organeve policore shqiptare.
27 Janar 2009