Ministrja e Shëndetësisë, takim me përfaqësues të USAID-it
Prezantohen dy dokumentet bazë, “Korniza e zhvillimit të mjekësisë së familjes” dhe “Paketa bazë e shërbimeve në kujdesin shëndetësor parësor”, që synojnë cilësinë e ofrimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor për qytetarët. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo dhe drejtoresha e Misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney, zhvilluan një takim ku evidentuan përparimet e arritura në procesin e reformimit të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri. Dy dokumentet synojnë sigurimin e një pakete gjithëpërfshirëse shërbimesh për fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit. Sipas tyre, banorëve të zonave urbane dhe rurale do t’u ofrohen edhe disa shërbime të kujdesit shëndetësor mendor dhe të shëndetit riprodhues, krahas informacionit të vazhdueshëm për sjellje dhe mënyra të jetës së shëndetshme. Në bazë të dokumenteve parashikohet që mjekët e qendrave shëndetësore të kujdesit parësor të trajnohen sipas programit bazë të Mjekësisë së Familjes. Ky program do të mbështetet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë, pasi parashikohen specializime për mjekun e familjes, programet e edukimit për të gjithë mjekët. Me mbështetjen e programeve të USAID-it, deri tani janë trajnuar mbi 650 mjekë përmes programit të Mjekësisë së Familjes, ndërsa në muajt në vijim pritet të rregullohet certifikimi formal i këtij procesi.
box
Paketa bazë e shërbimeve të kujdesit të shëndetit parësor, ku përfshihen kapitujt e mëposhtëm:
Kujdesi shëndetësor në rastet e urgjencës
Kujdesi shëndetësor për fëmijët
Kujdesi shëndetësor për të rriturit
Kujdesi shëndetësor për gratë dhe shëndeti riprodhues
Kujdesi shëndetësor për të moshuarit
Kujdesi shëndetësor mendor
Promocioni dhe edukimi shëndetësor
Bashkia e Tiranës prezanton projektin për mbrojtjen e mjedisit
Bashkia e Tiranës prezantoi projektin “Think green” nga skuadra “SIFE” ose Studentët në Sipërmarrje të Lirë, e Universitetit të Tiranës. “Think green”, të mendosh në mënyrë të gjelbër, është projekti më i fundit i Bashkisë së kryeqytetit dhe studentëve të Universitetit të Tiranës, të përfshirë në organizatën “SIFE”. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, u shpreh se mbrojtja e mjedisit është një sfidë e madhe ku shoqëria shqiptare po humbet çdo ditë, si pasojë e politikave të prapambetura që ndiqen nga institucione të ndryshme. Rama i ka bërë thirrje komunitetit për t’u sensibilizuar me këtë projekt dhe në veçanti gjeneratave të disa viteve më parë. Projekti “të mendosh në mënyrë të gjelbër” synon futjen e procesit të riciklimit në mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që ai do të shtrihet në të gjitha shkollat e mesme të vendit.
30 Janar 2009