E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon ura, fëmijët e Dobranjit e kalojnë lumin për të shkuar në shkollë



Devoll - Dhjetëra fëmijë të vegjël përballen çdo ditë me rrjedhën e lumit në përpjekjen e tyre për të fituar pak dituri. Sakrifica e fëmijëve të fshatit Dobranj në zonën e Devollit për arsimim kalon përmes lumit të fshatit. Pak kilometra përtej këtij lumi ndodhet shkolla e fshatit Bracanj. Për të arritur atje fëmijët duhet të kalojnë lumin, mbi të cilin mungon një urë. Dita e tyre me fat është kur një mjet i ndihmon për të kaluar lumin, në rast të kundërt, kur ka reshje dhe prurje të mëdha, mbeten pa mësim. Kryetari i komunës çdo mëngjes ndihmon fëmijët me makinën e tij duke i transportuar ata, edhe pse kjo është e rrezikshme. Ky ritual është thuajse i përditshëm. Prindërit i përcjellin fëmijët deri në buzë të lumit, presin kalimin e tyre dhe më pas rikthehen për t’i marrë pas mësimit. Ata thonë se shpesh detyrohen t’i mbajnë fëmijët në kurriz për të mos i lënë të kalojnë në këmbë përmes ujit. Banorët kanë ndërtuar disa herë ura druri, por kjo nuk mjafton. Me rritjen e prurjeve urat shkatërrohen. Banorët apelojnë për ndihmë dhe fonde. Në rast se fëmijët nuk kalojnë përmes lumit, janë të detyruar të ecin 3 orë më këmbë për të shkuar në shkollë.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›