E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimi, administrata gjyqësore me status si të nëpunësit civil

Ministria e Drejtësisë i ka propozuar qeverisë një projektligj, me anë të të cilit propozohet që administrata gjyqësore të përfitojë statusin si të nëpunësit civil të administratës publike, ndërkohë që propozohet t’i njihet edhe i njëjti trajtim financiar me punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë. Një propozim i tillë nga institucioni i drejtësisë, i cili ka kaluar tashmë në qeveri, i jep përfundimisht zgjidhje statusit të administratës, duke parashikuar, jo vetëm ekzistencën e procedurave standarde të rekrutimit apo të punësimit të administratës, por edhe një trajtim financiar të përshtatshëm dhe në përputhje me rëndësinë që ka vetë kjo pjesë e sistemit gjyqësor. Miratimi i projektligjit do të sjellë impakt pozitiv edhe në vetë forcimin e gjyqësorit, duke luftuar fenomene të tilla si korrupsioni, apo duke rritur transparencën e këtij pushteti në dhënien e drejtësisë dhe gjithashtu do të thellojë dhe forcojë më tej reformën në drejtësi. Me vendim të Këshillit të Ministrave, projektligji dhe relacioni i Ministrisë së Drejtësisë i kalojnë Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtim.

Qëllimi

Administrata gjyqësore është padyshim pjesë e rëndësishme e sistemit gjyqësor dhe që luan një rol të pamohueshëm në dhënien e drejtësisë dhe garantimin e pavarësisë së gjyqësorit. Por, duke qenë se kuadri ligjor aktual nuk ofron rregulla të qarta lidhur me misionin e administratës gjyqësore, strukturën e saj, rekrutimin e punonjësve dhe trajtimin financiar të tyre, si dhe në kuadër të thellimit të reformave në sistemin gjyqësor dhe me qëllim përmirësimin e funksionimit dhe eficencës së tij, është i nevojshëm dhe një rregullim uniform i statusit të administratës gjyqësore. Për këtë arsye është paraqitur domosdoshmëria e trajtimit të këtyre çështjeve nëpërmjet marrjes së masave ligjore përkatëse, kërkesë kjo që buron edhe nga Partneriteti Evropian me Shqipërinë. Në këtë kuadër është hartuar dhe propozohet projektligji “Për administratën gjyqësore”, i cili synon pikërisht përcaktimin e saktë të statusit të administratës gjyqësore të gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit, me qëllim rritjen e profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimin në punë të saj. Pavarësia e pushtetit gjyqësor është një nga parimet kryesore të shtetit të së drejtës dhe për këtë arsye marrja e masave për fuqizimin e funksionimit të këtij pushteti përbën një ndër prioritetet e reformës në Drejtësi, të ndërmarrë në kuadër të integrimit të Bashkimit Evropian.

Hartimi i projektligjit

Hartimi i projektligjit është bërë nën asistencën ligjore të ekspertëve të misionit “Euralius” dhe të ekspertëve të Këshillit të Evropës, rekomandimet e të cilëve janë marrë në konsideratë dhe janë reflektuar në përmbajtjen e tij.

Sipas burimeve zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë, projektligji plotëson kërkesën e partneritetit evropian lidhur me statusin e administratës, duke i ofruar asaj të njëjtat garanci që ofron statusi i shërbimit civil, punonjësve të administratës publike. Konkretisht, përcaktohen procedura të njëjta dhe të unifikuara për emërimin, zhvillimin e karrierës, largimin nga puna, masat disiplinore, vlerësimin e rezultateve në punë, të cilat do të ndikojnë në rritjen e performancës së administratës dhe shmangien e arbitratetit në largimin nga puna, duke krijuar dhe një mekanizëm ankimi tek ministri i Drejtësisë të punonjësve të administratës. Dhe ajo çka është më e rëndësishme në përmirësimin e statusit të administratës, është ofrimi i një trajtimi financiar të njëjtë me atë të nëpunësve të shërbimit civil.

Ligji

Ligji është strukturuar në 4 krerë. Kreu i parë, “Dispozita të përgjithshme”, përcakton qëllimin e ligjit duke renditur çështjet të cilat gjejnë rregullim në përmbajtjen e tij. Gjithashtu, jepet misioni i administratës gjyqësore në dhënien e drejtësisë, duke përcaktuar dhe parimet mbi bazën e të cilave ajo është ndërtuar dhe vepron në kuadër të arritjes së këtij misioni të saj.

Kreu i dytë, “Drejtimi i administratës gjyqësore”, rregullon drejtimin dhe administrimin e administratës gjyqësore, duke përcaktuar në mënyrë të qartë kompetencat e çdonjërës prej strukturave përgjegjëse për drejtimin e saj.

Ministri i Drejtësisë është autoriteti përgjegjës për përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës gjyqësore të çdo gjykate të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Në këtë kre përshkruhet roli i ministrit të Drejtësisë në administrimin e veprimtarisë së gjykatës. Ky rol do të konsistojë në garantimin e zbatimit të parimit ligjshmërisë, nga e cila duhet të udhëhiqet administrata në veprimtarinë e saj, si dhe në marrjen e masave të nevojshme për sigurimin e një administrate eficente, të aftë e të specializuar. Ndërkohë, me qëllim unifikimin e praktikës lidhur me detyrat e përditshme që duhet të kryejnë strukturat e administratës përcaktohet që përshkrimi i punës dhe i veprimtarisë së tyre procedurale dhe administrative, do të rregullohet me akt nënligjor të ministrit të Drejtësisë. Përcaktimit me akt nënligjor të ministrit do t’i lihet dhe rregullimi i detajuar dhe standard i procedurave të rekrutimit, konkurrimit, ngritjes në detyrë, lëvizjes paralele, masave disiplinore dhe vlerësimit të rezultateve në punë. Këto çështje, sipas këtij kreu, do të rregullohen në këshillim me kryetarët e gjykatave. Në funksion të garantimit të së drejtës për ankim, ministrit të Drejtësisë i jepet dhe e drejta e organit që vendos për ankimet lidhur me veprimtarinë e administratës.

Statusi i administratës gjyqësore

Projektligji zgjidh në mënyrë përfundimtare statusin e administratës gjyqësore, duke përmbushur dhe detyrimin që buron nga Partneriteti Evropian. Në këtë mënyrë statusi i administratës gjyqësore përqaset me atë të nëpunësit civil të administratës së publike dhe ajo çka është më e rëndësishme, administratës i njihet trajtim i njëjtë financiar me punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë. Për sa u takon rregullave të etikës, parashikohet se ato do të jenë të njëjta me rregullat e etikës që zbatohen për punonjësit e administratës publike. Në kreun e tretë, “Të drejtat dhe detyrat e punonjësit të administratës gjyqësore”, përshkruhet mënyra e organizimit dhe funksionet e strukturave të administratës gjyqësore, duke dhënë misionin e secilës prej tyre. Detyrat e hollësishme për cilëndo nga strukturat dhe procedurat për realizimin e tyre, i lihen rregullimit të aktit nënligjor, përkatësi të ministrit të Drejtësisë. Në kreun e fundit parashikohet dispozita deleguese që ngarkon ministrin e Drejtësisë për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, si dhe hyrja në fuqi e tij. Për shkak se projektligji ka efekte financiare, për të cilat është i nevojshëm parashikimi përkatës në buxhetin e shtetit, fillimi i efekteve financiare i është lënë vitit të ardhshëm financiar.

Roli i kryetarit të gjykatës

Roli i kryetarit të gjykatës konsiston në informimin e ministrit të Drejtësisë lidhur me çështje të drejtimit administrativ të gjykatës. Gjithashtu, për të evituar mosmbetjen pa ndëshkuar të veprimeve apo mosveprimeve, të cilët çojnë në mospërmbushje të detyrave, kryetarit, për shkeljet e konstatuara i jepet mundësia e ankimit tek ministri i Drejtësisë, për rastet kur çështjes nuk i jepet zgjidhje nga kancelari.

Roli i Kancelarit

Duke qenë se një pjesë e kompetencave të kancelarit përcaktohen në ligjin nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, projektligji detajon detyrat e tij si strukturë përgjegjëse për drejtimin dhe organizimin e veprimtarisë së përditshme të gjykatës. Konkretisht, detyra që garantojnë si krijimin e kushteve të nevojshme për përmbushjen e misionit të administratës gjyqësore në dhënien e drejtësisë, pa ndikuar në veprimtarinë procedurale dhe pavarësinë e gjyqtarëve, si edhe krijimin për publikun të kushteve për marrjen e një informacioni sa më të shpejtë, duke i garantuar atij të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›