Zhvatjet në kredi, hetohen persona të tjerë të përfshirë
Gjashtë persona janë nën hetim për mashtrime me kreditë në shumën e rreth 250 mijë dollarëve, ndërkohë që tashmë policia po heton për përfshirje të personave të tjerë në aferën korruptive. Kjo, pasi deklarimet paraprake të ish-analistes së kredisë tek “ProCredit Bank”, Brunilda Muho, kanë nxjerrë në pah se kjo e fundit as që nuk i njihte fare personat e tjerë që tashmë janë ndaluar nga policia. Sipas këtyre detajeve të mësuara një ditë më parë nga burime konfidenciale të policisë së kryeqytetit, bëhet e ditur gjithashtu se gjatë marrjes në pyetje të 29-vjeçares Muho, kjo e fundit ka deklaruar se nuk ka qenë personi përgjegjës për të dhënë firmën e fundit për marrjen e kredive nga aplikantët, sikurse ka pohuar se nuk i kishte ndeshur ndonjëherë më parë personat me të cilët akuzohet si bashkëpunëtore, tashmë të ndaluar me vendim gjykate. Në këtë pikë, burimet policore kanë pohuar se nga hetimi nuk do të përjashtohen as persona të tjerë që mund të kenë lidhje si punonjës me bankën në fjalë me qëllim zbardhjen e skemës mashtruese.
Ndërkaq, në lidhje me vjedhjet e konstatuara të shumës së majme të marra nëpërmjet kredive të rreme, burimet janë shprehur se zanafilla e gjithë kësaj daton më 22 qershor të një viti më parë, kur “Procredit Bank” do të lajmëronte në Prokurorinë e Tiranës për disa mashtrime në kredi. Pas kësaj, në tetor të vitit të kaluar hetuesit kanë bërë bashkimin e çështjeve duke qenë se kishin një objekt dhe personat e vënë nën hetim kishin lidhje mes tyre. Procedimet penale ndaj personave të dyshuar janë regjistruar mbi bazën e kallëzimeve të bankave dhe të personave të ndryshëm, të cilët kanë rënë pre e mashtrimeve të të ndaluarve. Sipas të dhënave të grupit hetimor, mësohet se gjatë hetimeve janë kryer përgjime si dhe akte ekspertimi, marrje deklarimesh dhe prova shkresore, të mbledhura nga denoncuesit.
Nga hetimet e deritanishme të policisë rezulton se për nxjerrjen e shumës së parave nga banka në fjalë përdoreshin dokumente të falsifikuara, duke vënë emra të ndryshëm në pasaporta apo dokumentet që paraqiteshin në bankë. Gjithashtu, Fatmir Kasalla, Rexhep Zhegu, Agim Xhika dhe Agim Karamuça kanë marrë kredi me dokumente të falsifikuara, gjithashtu kanë ndërmjetësuar në nxjerrjen e tyre në këmbim të përfitimeve monetare. Sipas policisë, këta persona kanë mashtruar dhe persona të ndryshëm, duke u vënë pasuritë e tyre si kolateral për kredi pa dijeninë e tyre. Deri në këtë fazë, janë hetuar rreth tetë raste “kredish të këqija” të cilat kapin vlerën e rreth 20 milionë lekëve të reja,
derisa, mbrëmjen e vonë të së hënës, policia e Tiranës do të ekzekutonte urdhrin e dhënë nga gjykata “arrest me burg” për Rexhep Zhegun, Agim Xhikën, Agim Karamuçën, Edmond Gjilanin. Ky i fundit është në kërkim pasi nuk është gjetur në banesë. Sakaq, gjykata ka vendosur masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për Brunilda Muhon dhe Fatmir Kasallën. Ende nuk është bërë i mundur ekzekutimi i vendimit për Edmond Gjilanin. Hetimet janë bërë nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me policinë, pas denoncimit të bërë nga banka që ishte dëmtuar. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se të arrestuarit akuzohen dhe për mashtrime të personave të tjerë.