E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA gjunjëzon Asllan Cafin, i shumëkërkuar për vrasje



Kanë zbritur pa shumë zhurmë në qytetin verior të Shkodrës, ndërkohë që mëngjesi i ka zënë përreth shtëpisë së të shumëkërkuarit Asllan Cafi, njëri nga personazhet më të përfolura në këtë qytet për vrasjen e Shukri Mustafajt shtatë vite më parë, por jo vetëm, nuk ka pasur se ku të shkojë këtë herë, kur specialet e RENEA-s të nisura enkas nga Tirana e kanë vënë me shpatulla pas murit.

Bashkë me 67-vjeçarin, në pranga është vënë edhe Gani Bokrina (Cafi), po 67 vjeç, të dy nga Shkodra, pasi akuzohen si autoret e dyshuar të vrasjes së Shukri Mustafajt, ngjarje e ndodhur në lagjen “Liria” të qytetit të Shkodrës më datë 27 korrik të vitit 2001 ku për këtë vrasje në vitin 2002 është dënuar edhe një person tjetër.

Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave gjithçka është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Buna” në bashkëpunim edhe me strukturat e departamentit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit, strukturat e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Shkodër dhe forcat speciale RENEA, të cilat kanë ekzekutuar urdhrat e ndalimit të Prokurorisë shkodrane.

Po kështu, gjatë operacionit policia sekuestroi 2 armë zjarri (pistoleta) model 54, një automatik tip “kallashnikov” si dhe një armë gjahu të cilat mbaheshin pa leje.

Në lidhje me këto, zëdhënësja e policisë së qytetit verior, Fatbardha Çepelja, tha se u arrestuan në kushtet e flagrancës gjithashtu edhe Arben Cafi, 35 vjeç dhe Gazment Kazma, 26 vjeç, të dy nga Shkodra.

Në lidhje me këtë, Çepelja ka bërë me dije se hetimet në kuadrin e këtij operacioni kanë filluar në vitin 2006 për t’u kurorëzuar me sukses pas bashkëpunimit të shkëlqyer me Prokurorinë e Shkodrës. Sipas saj, për këta persona dhe lidhjet e tyre familjare strukturat e hetimit të krimeve disponojnë informacione për përfshirjen e tyre edhe në vepra të tjera të rënda penale në Qarkun e Shkodrës, për të cilat në bashkëpunim me prokurorinë po hetohet intensivisht për dokumentimin e tyre ligjor dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Po kështu, në kuadrin e vazhdimit të hetimeve për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, strukturat e hetimit të krimeve kërkojnë bashkëpunimin e publikut dhe në mënyrë të veçantë të të dëmtuarve nga veprat penale prej tyre.

Për këtë, Çepelja ka pohuar se edhe në vitet e mëparshme pjesëtarët e familjes Cafi (grup kriminal) janë dënuar nga organet e drejtësisë për vepra të rënda penale, konkretisht Gëzim Asllan Cafi është duke vuajtur dënimin me 17 vjet burg për veprën penale të “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen kryer në bashkëpunim” e “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”, Çlirim Asllan Cafi (i vrarë) ka qenë i dënuar për veprën penale të “Vrasjes” dhe “Rrëmbim të personit”.

(Detaj)

Policia e Shkodrës kërkon bashkëpunimin e publikut dhe në mënyrë të veçantë të të dëmtuarve për të evidentuar veprat penale të Cafëve

Të arrestuar

Asllan Cafi, 67 vjeç

Gani Bokrina (Cafi), 67 vjeç

Arben Cafi, 35 vjeç

Gazment Kazma, 26 vjeç, të gjithë nga Shkodra

Sekuestruar

2 armë zjarri (pistoleta) model 54

1 automatik tip “kallashnikov”

2 armë gjahu të cilat mbaheshin pa leje

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›