Patrulla e Përgjithshme, edhe 3 javë kohë për t’u bërë polic
Fitimi i vetëm pesë kandidatëve për pranim në Akademinë e Policisë, ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit t’u japë edhe një herë mundësinë të interesuarve për të aplikuar. Përmes një deklarate për shtyp një ditë më parë, ky dikaster ka bërë të njohura edhe pyetjet, modeli i të cilave do të bien në testin që do të zhvillohet në 8 gusht. Pyetjet janë përgatitur nga Qendra Kombëtare e Ministrisë së Arsimit dhe janë logjike, duke u bazuar në dijet e marra nga konkurrentët gjatë shkollës së mesme. Ndërkohë, në konkursin që do të ripërsëritet, policia ka përjashtuar pesë aplikantët që morën pikët maksimale në konkursin e parë. Sipas të dhënave, të gjithë personat, shtetas shqiptarë që nuk kanë mundur të aplikojnë për të vazhduar konkurrimet për “Patrullën e Përgjithshme”, janë të ftuar të aplikojnë nga data 17-30 korrik 2008, pranë drejtorive të policisë në qarkun ku ata jetojnë. Gjithashtu, janë bërë të ditura dhe dokumentet që duhen dorëzuar për t’u regjistruar, përveç diplomës së shkollës së mesme. Kështu, aplikantët duhet të paraqesin në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, formularin e plotësuar të aplikimit, të përcaktuar nga struktura qendrore e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, fotokopje të pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi, dëshminë e penalitetit, si dhe fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B. Nga të dhënat është mësuar se konkurrimi me shkrim do të bëhet në datën 8 gusht 2008 në mjediset e Pallatit të Kongreseve dhe do të nisë në orën 07:00. Kuotat e pranimeve në Shkollën e Policisë do të jenë 150 persona. Policia ka deklaruar se personat që kanë qenë të regjistruar më parë duhet të paraqiten në Drejtoritë e Policive në Qarqe për të marrë fletën e pranimit, bashkëlidhur me fotografi. Pesë kandidatët fitues të testit të zhvilluar në datën 10 korrik 2008 nuk do t’i nënshtrohen testimit, pasi janë direkt të kualifikuar dhe do të paraqiten vetëm në fazën tjetër të konkurrimit, në testin fizik.