E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni turistik, ndëshkime për abuzuesit

Ministri Vasili u ndan detyrat inspektorëve sanitarë në të gjithë vendin

Në prag të hapjes së sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mjedisit kanë nisur diskutimin e masave higjieno-sanitare, duke bërë të ditur se do të ketë masa ndëshkuese për shkelësit e ligjit. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka kërkuar nga inspektorët sanitarë në të gjithë vendin kontroll të vazhdueshëm dhe të vendosur, hartim sa më shpejt të hartës së rrezikut, braktisje të praktikave të vjetra burokratike. Në kuadër të masave të mara për fillimin e sezonit të ri turistik verë 2011, ministri i Shëndetësisë dhe ai i Mjedisit së bashku me përfaqësues të administratave që drejtojnë kanë zhvilluar dje një takim pune. Gjatë këtij takimi është folur për masat që duhet të merren gjatë sezonit turistik, dhe janë lënë afate konkrete. Po ashtu, ministri Vasili ka kërkuar nga inspektorët sanitarë në të gjitha qarqet zbatim të rreptë dhe marrëdhënie të ftohtë dhe korrekte në raport me ligjin. Ndërkohë që për abuzuesit e ligjit janë kujtuar dhe një herë masat ndëshkuese. Sipas ministrit Vasili, deri në dyjavëshin e parë pas këtij takimi, duhet të ketë mbaruar hartimi i hartës së rreziqeve dhe dyjavëshin e dytë të fillojë zbatimi në praktikë. “Jemi të qartë për të mbështetur një aksion që nuk mund të funksionojë në mënyrë të ndarë”, - ka shtuar ministri Vasili, duke falënderuar dhe Ministrinë e Mjedisit për frymën bashkëpunuese. Sipas kreut të Shëndetësisë, i tërë konteksti qeveritar është në të njëjtën frymë, kur bëhet fjalë për mjedisin. Në fund, ministri Vasili, duke iu drejtuar inspektorëve sanitarë, ka deklaruar se ky sezon do të jetë dhe një provë e integritetit tuaj personal dhe institucional.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›