E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, vëthi i Maradonës shitet për 25 mijë euro në ankand

ROME- Një vëth i Diego Armando Maradonës, që Policia Financiare Italiane ia ka konfiskuar atij për shkak të mos pagimit të taksave, është shitur për 25 mijë euro në ankand. Sipas autoriteteve italiane, trajneri i Argjentinës, që në vitet 1984-1991 ka luajtur me Napolin, u detyrohet atyre 37 milionë euro taksa të prapambetura. Agjencia e Mbledhjes së Taksave, Equitalia, që organizoi ankandin e shitjes së vëthit në Bolzano, e quajti këtë një akt drejtësie karshi qytetarëve që paguajnë rregullisht taksat. Vëthi prej diamanti iu mor Maradonës në shtatorin e kaluar, gjatë vizitës që ai bëri në Itali në një klinikë për ulje peshe. Në ankandin e zhvilluar të enjten morën pjesë vetëm 2 persona dhe çmimi fillestar ishte 5.500 euro. Në fund ishte një grua që arriti të fitonte, por ajo refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. Ende nuk është e qartë nëse blerësja ka ndonjë lidhje me tifozët e Napolit, të cilët ende e shohin Diego Armando Maradonën si një idhull. Kjo, pasi gruaja tha se do ta blinte me çdo kusht vëthin, sado të shkonte vlera e tij. Sa i përket trajnerit të Argjentinës, ai pretendon se këto taksa të prapambetura duhet të paguhen nga klubi i Napolit. Në kohën e Maradonës, ky klub pati edhe shkëlqimin e tij më të madh, duke u shpallur dy herë kampion i Italisë si edhe duke fituar Kupën UEFA. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›