E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, vritet me thikë në zemër emigranti nga Vlora

 

Sherri i momentit bëhet shkak për vrasjen e një emigranti shqiptar në Itali. Armando Jaho, 21 vjeç, nga Vlora është vrarë me thikë në një provincë të Sienas në Itali.Policia deklaron se autor i ngjarjes është një tjetër emigrant po nga Vlora, Besmir Kollovi, 24 vjeç, me qëndrim në Itali që nga viti 2000, i punësuar në ndërtim. I akuzuari për vrasjen, është vetëdorëzuar dje në policinë italiane pasi tentoi të largohej nga vendi fqinj, duke udhëtuar me traget në drejtim të Shqipërisë. Në momentin e paraqitjes në polici, mësohet se i dyshuari për ngjarjen ka pranuar krimin, duke thënë se kishte vrarë emigrantin e masakruar me thikë në një piceri mëngjesin e të shtunës. Krimi i rëndë ka ndodhur në një lokal pranë stacionit të trenit, ndërsa gjithçka është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes, i thanë policisë se në kohën kur ndodhi krimi, si autori i ngjarjes, ashtu edhe viktima kishin konsumuar pije alkoolike. Dy emigrantët që besohet se kanë pasur njohje mes tyre edhe më parë, u përfshinë në konflikt dhe më pas përplasja mes tyre kaloi në fyerje e goditje fizike. Në përleshje e sipër, Besmir Kollovi mësohet se e ka qëlluar me thikë bashkëqytetarin e tij nga Vlora, duke e lënë të vdekur në vend. Autori i ngjarjes është larguar nga vendi i krimit. Në një moment ai tentoi të largohej nga Italia duke udhëtuar me traget për në vendlindjen e tij Vlorë, por më pas vendosi të paraqitej në polici e të pranonte krimin. Gazetat italiane citonin dje detaje të autopsisë duke thënë se mjekët kanë konstatuar një plagë pranë zemrës në trupin e emigrantit Armando Jaho, e cila kishte një thellësi të konsiderueshme. Ajo besohet t’i ketë shkaktuar vdekjen e menjëhershme të riut nga Vlora.
Hetimi
Hetuesit italianë kanë arritur dje të gjejnë edhe thikën me të cilën u vra Armando Jaho. Mjeti me të cilin është kryer krimi u gjet pas shpjegimeve të dhëna në polici nga Besmir Kollovi, pasi ai u dorëzua në kuesturë. I akuzuari për vrasjen ka dhënë shpjegime për ngjarjen duke treguar edhe vendin ku kishte hedhur thikën e përdorur në vrasje. Ajo që mbetet e paqartë për policinë, është mënyra se si dy shqiptarët u implikuan në konfliktin mes tyre. Edhe dëshmitarët nga vendi i ngjarjes, kanë thënë se nuk e kuptuan se si dy shqiptarët u përfshinë në konflikt, porse i kishin parë ata duke folur të nervozuar e më pas duke qëlluar njëri-tjetrin. Personeli i lokalit ku ndodhi krimi, i tha policisë se viktima e vrasjes, Armando Jaho, ishte prej kohësh një klient i rregullt aty. “Ndërsa personin që qëlloi me thikë ishte hera e parë që e shikonim këtu, nuk kishte ardhur asnjëherë më parë”, kanë thënë për policinë punonjësit e lokalit. Thëniet e tyre janë konfirmuar edhe prej disa klientëve të tjerë. Nga ana tjetër, policia ka përjashtuar një mosmarrëveshje të mëparshme mes dy emigrantëve, pasi autori i vrasjes punonte në ndërtim kurse viktima punonte në një fabrikë, çka e bënte të pamundur kontaktin apo konfliktet mes tyre. Autori i ngjarjes i cili është arrestuar tashmë nga policia, pritet të dalë para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë dhe kryerjen e hetimeve të mëtejshme lidhur me ngjarjen. Sipas policisë emigranti nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›