Në gjyq 4 pengmarrës, rrëmbyen biznesmenin për paratë e vizave
Tirane – Pesë persona dërgohen në gjykim nga Krimet e Rënda për episodin e pengmarrjes së biznesmenit Gazmir Leka në fillim të këtij viti në Durrës. I akuzuar në këtë çështje është edhe vetë biznesmeni, i cili është marrë peng për shkak se kishte premtuar të trafikonte në Itali disa persona, duke u marrë nga 7 mijë euro secilit por më pas nuk kishte mbajtur premtimin e madje nuk kishte kthyer as paratë. Ngjarja ka ndodhur në janar 2009 në Durrës, kur të akuzuarit Ismail Hamiti, Arselona Aliaj, Andrea Leka dhe Qani Haskana kanë rrëmbyer biznesmenin Gazmir Leka. Ai u kishte premtuar atyre viza për në Itali duke u marrë shtatë mijë euro. Biznesmeni nuk ka arritur të përmbushë premtimin e tij dhe për këtë shkak, katër autorët e ngjarjes kanë kërkuar kthimin e parave mbrapsht. Kjo nuk ka ndodhur ndërsa katër autorët e pengmarrjes kanë vendosur ta zgjidhnin me forcë këtë çështje duke rrëmbyer biznesmenin në mënyrë që ta detyronin për kthimin e parave. Por nga kjo ngjarje nën akuzë nuk janë vënë vetëm rrëmbyesit. Pas hetimit të çështjes, Prokuroria ngriti akuzë për “dhënie ndihme në kalim të paligjshëm të kufirit” edhe për vetë biznesmenin Gazmir Leka. Katër personat që i hoqën atij lirinë për disa orë në Durrës, derisa policia u lajmërua për ngjarjen, akuzohen se kanë kryer veprën penale “rrëmbim ose mbajtje peng të personit”. Sipas prokurorisë, katër të akuzuarit për pengmarrje e rrëmbyen biznesmenin, i cili u mbajt peng në qytetin bregdetar për disa orë. Biznesmeni mësohet se u detyrohej pengmarrësve në shumën 7 mijë euro. Policia dyshoi se bëhej fjalë për një pengmarrje me qëllime përfitimi, duke besuar se shuma 7 mijë euro ishte një gjobë, që biznesmeni duhej të paguante në këmbim të lirimit. Më pas, hetimet filluan nga policia lokale dhe vazhduan më tej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku u zbulua se autorët e rrëmbimit, i kishin dhënë më parë biznesmenit shtatë mijë euro. Biznesmeni kishte premtuar viza për kalim në Itali tek disa persona të afërm të pengmarrësve. Sipas prokurorisë, Gazmir Leka nuk ka kthyer shumën financiare, që u kishte marrë tre personave, të cilëve nuk u ka mundësuar as vizat e premtuara. Pas kësaj, të akuzuarit kanë vendosur ta mbajnë peng biznesmenin për disa orë derisa të bindej për pagesën. Rrëmbimi ka zgjatur shtatë orë, pasi në lojë hyri policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila urdhëroi arrestimin e tre pengmarrësve në kushtet e flagrancës. Në dëshmitë e tyre ata pohuan se biznesmeni u kishte marrë shtatë mijë euro, duke u premtuar viza dhe kalim në drejtim të Italisë përmes linjës, që kalon nga Mali i Zi dhe Kroacia. tr.so