E Shtunë, 31 Tetor 2026

ǒdo të bëjë Berisha me ligjin e ri të pensionistëve?

Dritan Prifti 

Sot është një ditë shumë e veçantë për gjithë pensionistët dhe të moshuarit mbi 65 vjeç, që jetojnë në Shqipëri. Sot Lëvizja Socialiste për Integrim dhe deputetët e saj në Kuvend, me kënaqësi të veçantë dhe përkushtim qytetar, kanë dorëzuar pranë protokollit të Kuvendit të Shqipërisë projektligjin “Për kujdesin ndaj individëve të moshës së tretë”. Ky projektligj i hartuar nga ekspertët më të mirë të LSI, në bashkëpunim të ngushtë me disa profesorë të nderuar të Sindikatës së Pensionistëve të Shqipërisë, synon të rrisë kujdesin e shoqërisë dhe shtetit ndaj moshës së tretë, duke i ofruar kësaj shtrese të respektuar dhe shumë të përvuajtur, më shumë shërbime, trajtime dhe pagesa të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e standardit të tyre të jetesës dhe lehtësimin e efekteve të moshimit fizik.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka rreth 2 vjet që studion gjendjen e moshës së tretë dhe pensionistëve në vend, me synim hartimin e këtij projektligji. Gjendja e moshës së tretë në Shqipëri është shumë e rëndë. Rreth 70% e individëve të kësaj moshe jetojnë nën nivelin e minimumit jetik, duke përbërë kështu shtresën më të varfër dhe më të diskriminuar ekonomikisht në vend. Aktualisht në Shqipëri janë rreth 230.000 pensionistë të sëmurë, të cilët paguajnë 220 lekë në muaj për recetat dhe ilaçet e rimbursuara, ose rreth 26 milionë USD në vit, nga mos rimbursimi i ilaçeve dhe pagesat e tjera. Në vitin 2005 llogariteshin rreth 300 mijë pensionistë të varfër, ndërsa në vitin 2007, për shkak të keqqeverisjes së shumicës së djathtë, ky numër ka kaluar 400 mijë. Ka rreth 87.000 pensionistë të vetmuar që paguajnë 3.000-4.500 lekë në vit taksa. Si rrjedhojë e pagesave që bën çdo pensionist për shërbime mjekësore (rregullim dhëmbësh, vizita mjekësore etj.) dhe pagesa e ilaçeve dhe recetave, ai paguan rreth 18 dollarë në muaj. Mesatarisht çdo pensionist paguan 5 dollarë në muaj transport urban dhe kjo pagesë ka tendencë për t’u rritur, kurse taksa lokale që paguan mesatarisht çdo pensionist në Tiranë është 1.5 dollarë në muaj, në rrethe është 0.5 dollarë në muaj. Në tërësi çdo pensionist për të gjitha këto shërbime paguan 23.7 dollarë në muaj, që në një vit është i barabartë me 276 dollarë për çdo pensionist, ose 2.2 pensione mesatare mujore. Në këtë mënyrë pensionisti merr realisht vetëm 9.8 pensione në vit, nga 12 që i takojnë, duke mos llogaritur efektet e inflacionit. Edhe llogaria e vitit 2008 është shumë e thjeshtë për t’u bërë. Parashikimi prej 5% rritje pensioni në qytet dhe 10% në fshat për gjashtëmujorin e dytë të vitit, bën një rritje reale vjetore prej 2.5% në qytet dhe 5% në fshat. Rritja e tmerrshme e çmimeve që kalojnë mesataren 10% këtë vit, asgjëson çdo rritje pensionesh dhe realisht çon në rritje të pensioneve minimale në qytet dhe fshat. Askush nuk e konteston faktin që mosha e tretë është ajo më e varfra në këtë vend, dhe që kujdesi i shtetit për këtë shtresë është minimal, për të mos thënë non-ekzistent.
Në 9-12 prill 2002, në Madrid u organizua Asambleja Botërore mbi Moshimin, në përfundim të së cilës u miratua një deklaratë si dhe Plani Ndërkombëtar për Moshimin, të cilin e ka miratuar dhe qeveria shqiptare. Projektligji që dorëzuam sot në Kuvend zbaton pjesën më të rëndësishme të këtij angazhimi ndërkombëtar të vendit tonë, duke marrë parasysh dhe mundësitë financiare të buxhetit të shtetit. 
Kosto financiare e parashikuar në këtë projektligj është rreth 70 milionë dollarë në vit. Po të kemi parasysh që buxheti i shtetit është rreth 4.1 miliardë dollarë në vit dhe rritja vit pas viti e shpenzimeve bëhet rreth 8-9%, për zbatimin e plotë të këtij ligji do duhej rreth 1.6% e buxhetit të shtetit, ose 1/5 e rritjes vjetore të tij. Kjo shifër është plotësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit.
Projektligji parashikon: ngritjen e Qendrave të Përkrahjes së moshës së tretë pranë pushtetit vendor dhe burimet e financimit të tyre; të drejtën për strehim me prioritet; të drejtën për transportin urban me pagesë të reduktuar ose pa pagesë; shërbimin shëndetësor në institucione shëndetësore apo shtëpi pa pagesë; mbështetjen financiare për të paaftët që jetojnë në një banesë me moshën e tretë; pagesën e një pensioni mujor të trembëdhjetë etj.
LSI beson se Parlamenti shqiptar duhet të angazhohet seriozisht në diskutimin dhe miratimin e kësaj nisme, që jo vetëm përmirëson gjendjen ekonomike, por në radhë të parë vë në vend dinjitetin e një shtrese të shoqërisë shqiptare, të diskriminuar në vite. Projektligji që kemi dorëzuar sot në Kuvend është tepër i rëndësishëm, sepse rrallëherë ndodh që një projektligj në Parlament të ndikojë në përmirësimin e standardit të jetesës së mbi 400.000 familjeve shqiptare, familje të cilat janë sot shtresa më e varfër e shoqërisë shqiptare.
Të gjithë deputetët e Kuvendit duhet të zhvishen nga ngjyrat partiake, të ngrihen mbi dallimet politike të momentit dhe të mbështesin këtë projektligj për moshën e tretë, sepse është detyra jonë e parë, dhe në dinjitetin tonë si përfaqësues të popullit, që të përkrahim këtë shtresë të nderuar të shoqërisë shqiptare. Qeveria Berisha të solidarizohet me këtë nismë dhe të mbështesë pa hezitim kalimin e këtij projektligji në Kuvend. Ky projektligj nuk duhet të përdoret politikisht. Ky projektligj nuk ka ngjyra politike. Ky projektligj është një detyrim brezash, një detyrim i shoqërisë për moshën e tretë. Shqiptarët duhet të shohin me kujdes se si do sillet Berisha me këtë projektligj. Nëse Berisha e aprovon ligjin, atëherë ai ka shpresë të marrë një pjesë të votave të pensionistëve, por nëse ai nuk e miraton këtë projektligj, atëherë LSI do të sigurohet që çdo pensionist në shtëpinë e tij ta dijë që Berisha nuk e aprovoi ligjin dhe ai është përgjegjësi kryesor për varfërinë dhe neglizhencën ndaj tyre. Ta shohim çfarë do të bëjë Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›