E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, vritet shqiptari në shtëpinë e tij

ITALI - Një emigrant 47-vjeçar nga Shqipëria u ekzekutua me armë gjatë një grindjeje të ndodhur mbrëmjen e së premtes në Foxha të Italisë. 

Sipas burimeve të policisë italiane, shtetasi shqiptar Tasim Spahiu është vrarë me një armë zjarri të kalibrit “7.65 mm”. Nga hetimet është mësuar se në çastet e fundit të jetës viktima është vizituar në shtëpi nga një emigrant shqiptar. Ky i fundit është dëgjuar të shkëmbente fjalë të rënda dhe me zë të lartë me viktimën, të cilin duket se e ka qëlluar pasi nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët. Mediat shkruanin dje se vrasja e emigrantit ka ndodhur pas një grindjeje në rrugën “Airone”. Ngjarja ka vënë në lëvizje autoritetet e policisë italiane, ndërsa dyshohet se autori i krimit ka qenë shqiptar dhe person në konflikt me viktimën e vrasjes. Sipas raportimeve të djeshme të medias italiane, karabinierët kanë arritur të bien në gjurmët e vrasësit të mundshëm, që besohet se është një shqiptar tjetër me qëndrim në Itali. Sipas hetimeve të para, mësohet se viktima e vrasjes, Tasim Spahiu qëndronte me dokumente të parregullta në Itali. Në të kaluarën ai kishte punuar si punëtor krahu në Altamura, në provincën e Barit. Policia ka mësuar se viktima e vrasjes prej disa ditësh qëndronte në shtëpinë e një nipi të tij shqiptar. Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, është zbuluar se Tasim Spahiu dhe nipi i tij, pasi kishin kaluar mbrëmjen me një mikun e tyre, ishin kthyer në shtëpi. Nipi i viktimës ka qenë në një banesë në katin përdhes të ndërtesës, ndërsa në apartamentin ku qëndronte viktima e vrasjes ka qenë i pranishëm dhe një shqiptar tjetër. Ky person i dyshuar ishte grindur me Tasim Spahiun, kurse dëshmitarët kanë treguar se në fund të kësaj grindjeje janë dëgjuar dy të shtëna pistolete, që i kanë marrë jetën 47-vjeçarit. Ai ka vdekur gjatë transportimit për në spital dhe më pas policia ka marrë në pyetje të njohurit e tij dhe disa banorë të zonës, me qëllim identifikimin e autorit të krimit. Hetuesit italianë po bëjnë verifikime për rrethanat e krimit, shkaqet e zënkës mes viktimës dhe vrasësit të tij, si dhe armës së përdorur gjatë ekzekutimit të emigrantit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›