E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijnë për pushime, kapen në Rinas dy emigrantët e kërkuar për vrasje

TIRANE - Pranga për vrasje në Rinas dy të kërkuarve nga policia e Tiranës dhe e Durrësit. Të dyshuarit po vinin si pasagjerë, nga Italia dhe Greqia për të qëndruar pranë familjeve të tyre. 

Xhemajl Matoshi, 49 vjeç dhe Ardian Ahmataj 21 vjeç, janë arrestuar nga policia e komisariatit të Rinasit, ndërsa po tentonin të futeshin në territorin shqiptar me linjë ajrore nga Italia dhe Greqia. Lajmi është bërë i ditur dje nga zëdhënësja e policisë, e cila ka pohuar se të dy personat janë zbuluar se ishin në kërkim gjatë verifikimit të tyre në kabinat hyrëse të pikës së kalimit kufitar në Rinas. Të dy personat e kërkuar kanë mbërritur të premten në mbrëmje vonë nga Milano dhe Athina, përkatësisht me avionët e dy linjave ndërsa me vete mbanin dokumente të rregullta. Fillimisht ka mbërritur nga Milano i Italisë Ardian Ahmataj, 21 vjeç. Sipas burimeve të policisë Ahmataj me banim në Tiranë, ishte shpallur në kërkim nga policia e Durrësit në muajin shkurt 2008. Ai sipas burimeve të policisë, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj një personi ndërsa ngjarja ka ndodhur në fillim të këtij viti në qytetin e Durrësit. Personi i dytë i arrestuar nga policia, Xhemajl Matoshi, është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 10 vite burg për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj dy personave. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1998, ndërsa që prej asaj kohe, Matoshi ishte larguar nga Shqipëria në drejtim të Greqisë ku qëndronte së fundi. Edhe pse ai ishte shpallur në kërkim dhe ishte dënuar për ngjarjen e vitit 1998, Matoshi ka menduar se i kishte mbyllur hesapet me drejtësinë. Sapo të dy personat kanë mbërritur në Rinas dhe janë marrë për intervistë me pasaportat në duar, sistemi TIMS-s ka nxjerrë se ata ishin në kërkim përkatësish nga Durrësi dhe Tiranë. Të dy personat kanë udhëtuar nga Athina dhe Milano, me dokumente të rregullta dhe me identitetet e tyre në drejtim të Shqipërisë, duke menduar se mund të mos arrestoheshin. Sapo sistemi ka nxjerrë se ata ishin në kërkim, policia ka kryer ndalimin ndaj tyre. Më pas personat i janë përcjellë policisë së Durrësit dhe Tiranës, sipas vendimeve të arrestit për secilin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›