Suedia, superfavorite ndaj Shqipërisë
Të vësh bast për Shqipërinë fituese në ndeshjen e së mërkurës në Suedi do të thotë të kesh vërtet zemër. Kjo për faktin se një rezultat i tillë parashikohet gati i pamundur nga bastexhinjtë anekënd botës. Suedia e Zlatan Ibrahimoviçit është superfavorite, ndaj edhe fitorja e vendasve sipas kompanive të basteve do të jetë thjesht një formalitet. Koeficientet për ta janë shumë të ulët, 1.20. Duke parë shanset thuajse zero të kualifikimit të tyre në botëror suedezët do të “nxjerrin inatin” pak a shumë ndaj skuadrës së Kuzhesë në ndeshjen e fundit të kualifikimeve. Ndërkohë edhe barazimi shihet si një rezultat i pamundur përderisa kuotohet në shifrat 6.25. Kurse fitorja e Shqipërisë në “Rasunda” për bastexhinjtë është një mision i pamundur pasi koeficienti është 11.00. Për t’u theksuar se këto koeficiente ndaj Kombëtares sonë gjatë këtyre kualifikimeve janë vënë vetëm para përballjes me Portugalinë në Braga. Koeficientet në atë rast ishin 1.15 për Portugalinë, 7.50 barazimi dhe 12.00 fitorja e skuadrës sonë. Kuqezinjtë nuk arritën të fitonin por gjithsesi morën një barazim (për më tepër me 10 lojtarë për më shumë se 50 minuta lojë), i cili “dogji” jo pak bastexhinj që patën vënë fitore të sigurt për portugezët. Ndoshta historia përsëritet, fiks një vit më vonë.