E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika shqiptare ngushëllon Berluskonin



Në mort, miqtë të gjenden pranë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe me shqiptarët, të cilët janë hidhëruar sot për tragjedinë që ka përjetuar vendi fqinj, populli italian. Tërmeti që ra në Itali e që mori dhjetëra jetë njerëzish dhe plagosi mijëra të tjerë ka tronditur dje zemrat e gjithë shqiptarëve, shumë prej të cilëve kanë të afërmit e tyre banorë të vendit fqinj. Krerët e shtetit, por dhe ata të opozitës, kanë përcjellë për popullin italian mbështetjen dhe solidaritetin e shqiptarëve në këtë ditë zie. Mesazhet e ngushëllimit për Kryeministrin italian, Silvio Berluskoni dhe Presidentit Xhorxho Napoletano janë nisur dje nga Tirana nga Kryeministri Berisha, Presidenti Bamir Topi, kreu i PS-së, Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha i shprehte ndjenjën e pikëllimit më të thellë, si dhe ndjenjat e solidaritetit dhe simpatisë për familjet e viktimave, qeverinë dhe popullin mik italian, në këto çaste të vështira. Duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin, Kryeministri Berisha, përmes këtij mesazhi, shpreh gjithashtu bindjen se qeveria dhe populli mik italian do të dinë të kapërcejnë me vendosmëri pasojat e rënda të këtij tërmeti. Por qeveria shqiptare nuk ka mbetur vetëm tek fjalët, por ka vendosur të akordojë një shumë modeste prej 50 mijë eurosh, në ndihmë të familjeve të lënduara nga kjo ngjarje e rëndë natyrore.

Ndërsa Presidenti Topi, mesazhin e tij e ka nisur në adresë të homologut Napolitano dhe Kryeministrit Berluskoni. “Me keqardhje të madhe mësova për fatkeqësinë natyrore që preku rajonin e Abruzzo-s, duke shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme materiale. Dëshiroj të shpreh hidhërimin tim për këtë ngjarje tragjike që preku popullin mik italian dhe të dërgoj ngushëllimet më të thella për familjarët e të afërmit e viktimave në emrin tim dhe në emër të popullit shqiptar! Ju lutem, pranoni ndjenjat e mbështetjes dhe të solidaritetit të popullit shqiptar për të përballuar këtë situatë të vështirë të krijuar nga tërmeti në rajonin e Abruzzo-s dhe veçanërisht në qytetin e Aquilla-s”, – shprehet Topi në mesazhin e tij. Ndërsa kreu i PS-së, Edi Rama, i shkroi një letër Kryeministrit italian ku i shkruante: “Më lejoni që në emër të Partisë Socialiste dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell juve keqardhjen më të thellë që ndjemë për jetët e humbura dhe dëmet që populli i Aquilla-s pësoi. Unë, gjithashtu, dua të shpreh ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin për familjet dhe personat që u prekën nga kjo fatkeqësi natyrore”. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjithashtu i dërgoi mesazh ngushëllimi Berluskonit ku i thotë: “Ju shtrëngoj dorën me dhimbje të thellë dhe ndaj me ju këto momente të vështira. Gjithashtu, në emër të forcës politike që drejtoj dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’ju siguroj se këto janë momente solidariteti të fortë njerëzor me ju dhe popullin tuaj, për të kaluar këtë dhimbje që vjen nga jetët e pafajshme të humbura dhe nga të lënduarit në këtë tragjedi”.

Basha ngushëllon homologun Fratini

Ministri Basha, përmes një telegrami ngushëllimi dërguar homologut të tij italian, z. Franco Frattini, u shprehu familjeve të viktimave ngushëllimet më të sinqerta.

“Me shumë trishtim mora lajmin e bilancit tragjik të tërmetit që ra në zonën e Abruzzo-s, i cili shkaktoi humbjen e shumë jetë njerëzish, shumë të humbur dhe shumë dëme materiale. Me dhimbje të thellë dëshiroj t’ju shpreh juve dhe familjeve të viktimave, ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe ndjenjat e një solidariteti të thellë”, - shkruan ministri Basha në këtë telegram. Gjithashtu, në orët e para të mëngjesit, ministri Basha pati një bisedë telefonike me ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, z. Saba D’Elia, të cilit i shprehu ngushëllimet më të sinqerta për këtë tragjedi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›