Italia Spanja e Franca apel BE

Spanja, Italia dhe Franca i bëjnë apel, përmes një komunikate, BE për të zbatuar urgjentisht marrëveshjet e arritura në samitin e fundit të 28 dhe 29 qershorit. Ministrat për çështjet europiane të të tre vendeve gjatë takimit në Bruksel kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Bashkimit europian në kuadër të situatës ekstreme që po ndodh në tregun e bonove sovrane të të tre vendeve, ku kostot e rifinancimit të borxhit sovran kanë arritur rekordin, duke shtuar mundësinë për largimin e investitorëve nga këto tregje.
Sipas tyre, në samitin e fundit të qershorit u afirmua angazhimi i vendeve të Eurozonës për të bërë të pamundurën për të siguruar stabilitetin e tregjeve financiare, veçanërisht u ra dakord që të përdoreshin mjetet ekzistuese të Fondit Europian të Shpëtimit në mënyrën më fleksibël dhe efikase. Gjithashtu edhe një monitorim bankar nga ana e BQE.
Shpejtësia është kushti themelor i suksesit të cdo lloj veprimi europian, thuhet në komunikatën zyrtare të tre ministrave europian drejtuar BE-së, ku denoncohet zvarritja mes vendimeve të marra nga Këshilli Europian dhe aplikimit të marrëveshjeve.