E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Italia dhe Shqipëria, aleatë natyralë"

Marrëdhëniet mes Shqipërisë
dhe Italisë janë thjesht "të
shkëlqyera". Ambasadori i
Italisë në Tiranë, Saba d‘Elia,
thotë se në karrierën e tij diplomatike nuk
ka hasur kurrë më parë marrëdhënie më
intensive se ato që janë duke u zhvilluar
mes dy vendeve. Italia është shteti që e
ndihmon më shumë Shqipërinë në të
gjitha fushat, është vendi që eksporton
më shumë në Shqipëri dhe që importon
më shumë prej Shqipërisë. Shqiptarët
janë komuniteti i huaj më i integruar
në Itali dhe po japin një kontribut të
vyer edhe për vendin ku jetojnë. Por ka
ende shumë për t‘u bërë në dobi të dy
vendeve dhe popujve. Në intervistën e tij
për gazetën "Shqip", ambasadori D‘Elia
tregon se investitorët italianë shpesh hasin
probleme serioze me administratën
vendase, çka përbën një ngërç për rritjen
e investimeve italiane.
Zoti ambasador! Italia është një nga
partnerët kryesorë të Shqipërisë. Duket
qartë se marrëdhëniet mes dy vendeve
tona, Shqipërisë e Italisë, gjithnjë e më
shumë po strukturohen. Kjo rregullsi e
marrëdhënieve të mira vihet re edhe nga
vizitat e shpeshta në nivelet e larta politike.
Pas thuajse dy vitesh në pozicionin
e ambasadorit të Italisë në Shqipëri, cili
është mendimi juaj sa i përket perspektivës
së marrëdhënieve bilaterale mes dy
vendeve, gjithashtu cili është mendimi
i përgjithshëm që Italia ka për një vend
si Shqipëria?
Pas pak unë mbush dy vite në cilësinë
e ambasadorit Italian në Shqipëri,
e para së gjithash do të dëshiroja të
ndaja me miqtë lexues, se përgjatë
gjithë eksperiencës sime jashtë vendit,
Italisë, asnjëherë nuk jam përballur me
një marrëdhënie kaq intensive e kaq të
mirë sa kjo mes Shqipërisë e Italisë. Dy
vendet tona janë të lidhura ngushtë nga
një dialog intensiv politik, ekonomik dhe
kulturor, si në nivel institucional, ashtu
edhe civil. Marrëdhëniet tona janë të
shkëlqyera dhe shkojnë përtej atyre me
vendet fqinje. Siç edhe e ka theksuar në
mënyrë efektive presidenti i Dhomës së
Deputetëve, Fini, gjatë vizitës së tij të fundit
në Tiranë, ato janë një model për t‘u
përmendur, e për t‘u marrë shembull prej
të gjitha vendeve rreth Mesdheut. Italia
prej kohësh i gjendet pranë Shqipërisë
dhe shprehja e kësaj afërsie ndihet ditë
pas dite, si në situatat e vështira ashtu
edhe në ato të rritjes së përbashkët. Kohët
e fundit, u përkujtua një vit nga ngjarja
e Gërdecit dhe më kujtohet me rastin e
kësaj tragjedie të tmerrshme, angazhimi
i menjëhershëm i strukturave tona për të
transferuar në Itali qytetarët e shumtë, të
cilët ndodheshin në rrezik të madh për
jetën. Nga ana tjetër, pikërisht këto ditë,
si dëshmi solide e miqësisë mes dy popujve
tanë, kam marrë shumë ngushëllime
e mesazhe keqardhjeje për viktimat e
shumta të shkaktuara prej tërmetit që
goditi Italinë, e ndërkaq, edhe institucionet
shqiptare kanë dhënë donacione në
favor të familjeve të viktimave. Por ky nuk
është rasti për të përqendruar vëmendjen
në këtë moment të dhimbshëm. Po nis të
flas edhe një herë mbi temën që e nisëm.
Italia është shumë pranë Shqipërisë, mbi
të gjitha në udhën e saj drejt rritjes. Unë
po e përqendroj punën time pikërisht
në zgjatjen e mëtejshme në fushën e
bashkëpunimit dhe duke folur në këtë
optikë, qysh kur kam marrë shërbimin
si ambasador i Italisë në Tiranë, vajtjeardhjet
në nivel politik janë shtuar me
një ritëm më të lartë. Në këtë kuadër
mund të përmend vizitën e Kryeministrit
të atëhershëm, Prodi, dhe vizitën më të
afërt të Kryeministrit Berluskoni; po u
referohem vetëm këtyre të dyjave, për
të treguar se marrëdhëniet e shkëlqyera
mes dy vendeve tona janë të tilla, pavarësisht
qeverive të ndryshme në pushtet.
Përtej vizitave politike, mes dy vendeve
tona ndihet edhe një frymë mjaft
e mirë bashkëpunimi, edhe sa u përket
marrëdhënieve mes shoqërisë civile.
Për motive punësimi ose studimi, në
Itali jetojnë rreth 432 mijë shqiptarë.
Ju si e shihni këtë marrëdhënie? Në
këndvështrimin tuaj, si janë integruar
shqiptarët në shoqërinë italiane?
Marrëdhëniet e shkëlqyera politike
mes Shqipërisë e Italisë kanë ndërtuar
edhe një rrugë për marrëdhëniet e
jashtëzakonshme mes shoqërive tona
civile: binjakëzime mes qyteteve, universiteteve
e shkollave; bashkëpunime
nga ana e OJQ-ve, vullnetare e fetare.
Këto janë vetëm disa prej sinergjive të
shumta që zhvillohen mes kolektivitetit
shqiptar e italian.
Rreth 85 për qind e popullsisë shqiptare
e njeh gjuhën italiane dhe çdo vit
shtohet numri studentëve që përgatiten
për të nisur studimet universitare pranë
universiteteve italiane (+41% këtë vit), si
dëshmi e perspektivave konkrete që kjo
zgjedhje mund të ofrojë edhe sa u përket
mundësive të punësimit si në Itali, ashtu
edhe në Shqipëri, ku investimet tona janë
me të vërtetë shumë të rëndësishme.
Në Itali, qëndron në mënyrë të rregullt
një komunitet prej rreth 432 mijë
shqiptarësh, komunitet i cili konsiderohet
plotësisht i integruar dhe i vlerësuar.
Tashmë është e largët koha kur emigracioni
i çrregullt, që shpesh jetonte përtej
rregullave, kontribuoi në lindjen e frikës
dhe shqetësimeve në opinionin publik
italian. Sot, komuniteti shqiptar, siç edhe
u pohua nga vetë Presidenti i Republikës,
Napoletano dhe nga Kryeministri
Berluskoni, është ndër komunitetet e
huaja që është integruar më së miri në
Itali. Ky komunitet nuk përbën më një
motiv shqetësimi. Ai tashmë është kthyer
në një burim pozitiv që kontribuon
në mënyrë thelbësore në rritjen e vendit
tonë. Në vazhdën e viteve, shumë italianë
kanë mësuar të njohin dhe të vlerësojnë
emigrantët shqiptarë si kolegë pune,
bashkëpunëtorë, si fqinj, si studentë dhe
do të dëshiroja të nënvizoja se janë të shumtë
shqiptarët që kanë fituar shtetësinë
italiane, pikërisht për të konfirmuar faktin
se bëhet fjalë për një nga komunitetet e
huaja më të rrënjosura në territorin tonë,
e nga ana tjetër, për të dëshmuar ndjesinë
e fortë se i përkasin vendit tonë.
Perceptimi i ri i opinionit publik
italian kundrejt popullit shqiptar nuk
është vetëm fryt i aftësisë së tyre për t‘u
integruar në Itali, por edhe si pasojë e
progreseve të dukshme të realizuara
në territorin shqiptar. Por, ndonjëherë,
imazhi gjithnjë e më pozitiv që vendi juaj
ofron, ndodh të zbehet prej fenomeneve
të paligjshme në të cilat përfshihen
qytetarët shqiptarë. E në këtë pikë ne
shpresojmë që të vazhdojë më tej sfida e
Shqipërisë për të konsoliduar rezultatet
pozitive në luftën kundër krimit. Edhe në
këtë sektor, bashkëpunimi bilateral është
konkret dhe i frytshëm. Magjistraturat
dhe zyrat tona të policisë bashkëpunojnë
me njëra-tjetrën dhe me këtë rast ia vlen
të përmend vizitat e kohëve të fundit në
Shqipëri të Prokurorit të Përgjithshëm të
Antimafies, Graso dhe të shefit të Policisë
italiane Pref. Manjaneli.
Konsullata italiane është ndër të
parat që ka lejuar dhënien e vizave për
qytetarët shqiptarë. Cila është politika
që ndiqni në këtë fushë?
Tre konsullatat italiane, në Tiranë,
Shkodër e Vlorë kanë dhënë për vitin
2008 më shumë se 71 mijë viza, nga
të cilat 37 276 janë viza kombëtare,
(kryesisht për bashkim familjar e për
arsye punësimi) dhe 33 898 viza Shengen
(prej të cilave më të shpeshtat janë viza
për turizëm e për arsye biznesi). Duke
respektuar legjislacionin kombëtar e
Shengen, nga data 1 janar 2008, ne po
aplikojmë me shumë kujdes e vendosmëri
marrëveshjen për liberalizimin
e vizave BE-Shqipëri, e kjo dëshmohet
më së miri nga rritja e lëshimit të vizave
Shengen, regjistruar nga tre selitë tona,
që nga koha e hyrjes në fuqi e këtij teksti
(+12%), ndërkaq ka një rritje të lëshimit të
vizave multiple dhe e shtimit të shkëlqyer
të dhënies së vizave falas në favor të kategorive
të përmendura nga marrëveshja.
Për ta përmirësuar më tej shërbimin
ndaj përdoruesit, kemi organizuar punën
në mënyrë të tillë që na ka mundësuar
reduktimin e kohës së pritjes për fiksimin
e një takimi për në zyrat tona të dhënies
së vizave, madje edhe për ato viza që
janë më të kërkuarat. Ndër të tjera ne
kemi shtuar sasinë dhe cilësinë e informacioneve,
që mund të përftohen nga
të interesuarit në mënyrë të drejtpërdrejtë
nëpërmjet siteve në internet të
ambasadës dhe konsullatave.
Zoti ambasador! Duke qenë se e
prekëm argumentin e vizave, sa ka
kontribuar politika italiane në dialogun
Shqipëri-Bashkimi Evropian mbi
liberalizimin e vizave? A shpresoni ju në
një liberalizim të shpejtë e të plotë për
Shqipërinë? E në vazhdim të këtij argumenti,
ç‘detyra shtëpie i kanë mbetur
ende Shqipërisë për të kryer?
Italia e mbështet plotësisht perspektivën
evropiane të Shqipërisë,
por edhe të vendeve të Ballkanit
Perëndimor dhe në këtë kuadër, ne
e kuptojmë plotësisht faktin se për
popullatën e këtyre vendeve, liberalizimi
i regjimit të vizave përfaqëson
shenjën e parë të prekshme të afrimit
me Bashkimin Evropian dhe të përkatësisë
së të njëjtës familje, bazuar
në ndarjen e të njëjtave ideale dhe të
të njëjtave objektiva. Në këtë kuptim
do të doja të kujtoja fjalët e ministrit
Fratini, të mbajtura në "tetë pikat" mbi
Ballkanin Perëndimor, të shpalosura
gjatë Samitit Evropian të Pragës: "Italia
është në favor të liberalizimit të vizave,
kur këto vende pak nga pak të nisin të
tregojnë se po përmbushin reformat e
kërkuara nga BE-ja".
Është e dukshme në fakt, që për të
arritur objektivin e liberalizimit të vizave,
ato duhet të ruajnë mbi të gjitha
sigurinë dhe rendin publik të vendeve
anëtare, si dhe të vetë vendit që ka
ndërmend të përfitojë nga ky objektiv.
Dokumente të sigurta, kontroll efektiv
i kufirit të jashtëm, lufta kundër emigracionit
klandestin dhe krimit të organizuar
përbëjnë padyshim kërkesat
thelbësore për liberalizimin.
Italia është ndër të tjera një partner
shumë i rëndësishëm, edhe për sa i përket
ekonomisë shqiptare. Si është niveli i
marrëdhënieve ekonomike mes vendeve
tona? Bizneset italiane janë prezente në
Shqipëri, por a ekziston mundësia për
shtimin e pranisë së tyre?
Italia vazhdon ta ruajë e të mbajë
fort rolin si partneri kryesor në fushë të
tregtisë për Shqipërinë, me një kuotë që
shkon rreth 34 për qind të shkëmbimit
në total të Shqipërisë me vendet e tjera.
Gjatë vitit 2008, eksportet shqiptare drejt
Italisë e kanë kaluar kuotën 61 për qind
të totalit të eksporteve, ndërsa importet
nga merkatoja jonë kanë arritur nivelin
26.54 për qind të totalit. Edhe në sektorin
e investimeve, Italia ndodhet në vendin e
parë për sa i përket numrit të kompanive
me kapital të përbashkët. Janë më shumë
se 400 kompanitë me kapital të përbashkët
me shumicë italiane në Shqipëri.
Një stimul për konsolidimin e
mëtejshëm të prezencës sonë mund të
vijë edhe nga ndërtimi i një dhome tregtie
italo-shqiptare, e cila do të favorizojë
dialogun ekonomik mes dy vendeve
tona. Ajo do të ketë gjithashtu edhe rolin
e një ndërlidhësi të rëndësishëm
për institucionet dhe operatorët lokalë
ekonomikë.
Sot - krahas kompanive të vogla italiane,
të pranishme prej disa vitesh në
Shqipëri - po përgatiten të bëhen pjesë
e kësaj merkatoje edhe grupe industriale
mesatare e të mëdha, të cilat janë të
tërhequra prej perspektivës që po manifestohet
në sektorin e energjisë dhe të
infrastrukturave, por edhe në një kuadër
më të gjerë, në nivel rajonal, ku pritet
që Shqipëria të ketë një rol potencial
sa i përket platformës prodhuese për të
mirat dhe shërbimet për tregun e gjerë të
Ballkanit dhe Evropës Lindore.
Pavarësisht vështirësive në të cilat
gjendet ekonomia aktuale, interesi i
ndërmarrjeve italiane për sa u përket
mundësive që ofrohen në Shqipëri,
vazhdon të mbetet i lartë: vizitat e fundit
të figurave shumë të rëndësishme institucionale
italiane, siç është ajo e ministrit
për Zhvillimin Ekonomik, Skajola, janë
një konfirmim i mëtejshëm i vëmendjes
së sipërmarrjeve italiane drejtuar
Shqipërisë.
Në mënyrë të veçantë, në këtë moment
vëmendja e shumë investitorëve
italianë është e përqendruar në sektorin
energjetik në format e ndryshme të tij,
duke nisur që nga prodhimi i energjisë
të brendshme, (nga uji) e deri te burimet
e rinovueshme të energjisë.
Në fakt, në këtë fushë ekziston një
bashkëveprim plotësues mes objektivave
strategjikë shqiptarë për të shtuar prodhimin
dhe për të integruar sistemin e
vet në merkaton evropiane dhe politikës
energjetike të nisur prej qeverisë italiane.
Kjo e fundit bazohet në konceptin e
"ndërlidhjes mesdhetare të energjisë"
dhe mbi përdorimin e një përzierjeje të
burimeve energjetike që të shërbejë si
nyjë për të rritur përdorimin e energjisë
së rinovueshme, mes të cilave edhe ato
që do të prodhohen në territorin shqiptar
falë investimeve të sipërmarrjeve
italiane.
Konsolidimi dhe rritja e prezencës së
ekonomisë italiane është gjithashtu e dukshme
edhe në sektorët e infrastrukturës
e të ndërtimit, në mënyrë të veçantë në
atë të çimentos. Perspektiva interesante
po zhvillohen edhe në fushën e telekomunikacionit,
në vazhdën e vizitës së
fundit në Shqipëri të Administratorit
Delegat të Postave Italiane që u ka dhënë
impuls formave të bashkëpunimit me
Postat Shqiptare, në mënyrë të veçantë
në sektorët financiarë dhe në certifikatat
elektronike. Sigurisht që ekzistojnë edhe
fusha të tjera për praninë gjithnjë e në
rritje të biznesit italian në Shqipëri. Jo
vetëm për sa u përket lidhjeve territoriale
mes dy vendeve tona, por gjithashtu,
e kryesisht për shkak të performancës
pozitive në kuadër të ndryshimeve që po
ndodhin në Shqipëri.
Ka pasur probleme me të cilat janë
ndeshur bizneset, investitorët italianë
në Shqipëri? Nëse po, cilët janë dhe
ç‘rrugë keni ndjekur për zgjidhjen e
tyre?
Italia ka njohur dhe ka vlerësuar
progresin e Shqipërisë në sektorin e
shtetëror "governance" dhe në krijimin
një klime favorizuese "business climate"
për investimet e huaja.
Veçanërisht të vlerësuara nga ana e
kompanive italiane kanë qenë masat
e ndërmarra në lehtësimin fiskal dhe
thjeshtëzimin e procedurave për çeljen e
një aktiviteti ekonomik. Megjithatë, nga
operatorët italianë, vështirësitë sinjalizohen
në sektorin e licencave për ndërtim,
në krijimin e titujve të pronësisë, duke
iu referuar vonesave në procedurat e
rimbursimit të TVSH-së. Pikërisht kjo
çështja e fundit, në të cilën përqendrohet
edhe vëmendja e BE-së, përkon në
mënyrë negative, duke frenuar volumin e
investimeve italiane, sidomos tek ato me
një densitet të lartë të kapitalit.
Duke iu referuar këtij problemi specifik,
ndërhyrjet nga ana e ambasadës
sonë, apo direkt nga ana e politikanëve
italianë, të cilët kanë vizituar Shqipërinë,
kundrejt qeverisë shqiptare kanë qenë
konstante, e megjithatë ende nuk kemi
arritur në mundësinë e një zgjidhjeje të
mundshme për çështjen në fjalë.
Është e qartë se në një kohë kur
Shqipëria dëshiron të jetë vendi pritës
i investimeve gjithnjë e në rritje, të tilla
dinamika përfaqësojnë ngërçe të vërteta
që frenojnë bizneset.
Nga disa raporte rezulton që Italia
është donatori i tretë në Shqipëri, pas
Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore.
Cilat janë projektet tuaja për të
ardhmen, sa i përket Bashkëpunimit
për Zhvillim, midis dy Ministrive të
Jashtme?
Në kuadrin e marrëdhënieve bilaterale,
kaq speciale që ekzistojnë mes
Shqipërisë dhe Italisë, nuk mund të
shpëtojë edhe fakti që Italia, tradicionalisht
është në linjën e parë në ndihmën
për zhvillimin e Shqipërisë. Veprimtaria e
Bashkëpunimit për Zhvillim e Ministrisë
së Punëve të Jashtme Italiane ka ndryshuar
përgjatë viteve për t‘u adaptuar
më mirë me kërkesat e nevojat e reja të
Shqipërisë: jemi përballur me situatat
e emergjencës në vitet ‘90, të cilat u
pasuan me ndërhyrjet strukturore të
zhvilluara në mbështetjen e përforcimit
institucional.
Siç edhe është konfirmuar nga një
studim i fundit i Kryeministrisë shqiptare
mbi performancën e ndihmës së jashtme
nga viti 2000 deri në vitin 2008, Italia,
vetëm nëpërmjet Ministrisë së Punëve të
Jashtme, është "donatori i parë bilateral",
me një shumë që i kalon 650 milionë
eurot, duke nisur nga viti 1991 e deri më
sot. Nga pas ndjekin partnerët e tjerë
perëndimorë. Para Italisë - siç kujtoni
edhe ju në mënyrë të drejtë - pozicionohen
Bashkimi Evropian dhe Banka
Botërore.
Sot, Bashkëpunimi për Zhvillim i Ministrisë
së Punëve të Jashtme Italiane po
realizon në të gjithë territorin shqiptar
93 projekte me një vlerë prej 350 milionë
eurosh.
Këtij kontributi thelbësor e të rëndësishëm,
i duhet t‘i shtohet edhe ai i
shumë aktorëve ndihmues në zhvillimin
e "Sistema Italia".
Mendoj që rajonet italiane, në mënyrë
të veçantë ai i Puljas, që së bashku me
Administratën Qendrore ka financuar për
projekte ndër-rajonale, duke nisur nga
viti 1992 e deri më sot rreth 110 milionë
euro; mendoj për delegacionin e ekspertëve
italianë që ka dhënë një asistencë
dhjetëvjeçare në Shqipëri me rreth 100
milionë euro; mendoj më pas edhe për
veprimtarinë në universitete e shkolla me
projekte bashkëpunimi ndërakademik
dhe për bursat e studimit.
E së fundi, dua të theksoj veprimtarinë
e 30 OJQ-ve italiane të kudogjendura në
territorin shqiptar, të cilat aktualisht janë
duke zhvilluar 31 projekte aktive me vlerën
23 milionë eurove. Veprimtaria e tyre është
qendrore, pasi është e fokusuar kryesisht
në rritjen e shoqërisë civile nëpërmjet
iniciativave të shumta në nivel socioedukativ
dhe shëndetësor, në promovimin
e të drejtave në grupet e sociale më pak të
favorizuara, ashtu si edhe në ndërhyrjet sa
i përket mjedisit, në sektorin bujqësor dhe
në fushën e turizmit eko-mbështetëse.
Vetëm me këto të dhëna që porsa
përmenda, mund të flasim për të dhëna
në zhvillimin e Shqipërisë për më shumë
se 860 milionë euro, të cilave mund t‘u
shtoj me lehtësi të tjera shuma parash të
drejtuara nga "Sistema Italia" në rritjen
dhe zhvillimin e këtij vendi të bukur.
Shqipëria tashmë është zyrtarisht
pjesë e NATO-s. Çfarë do të thotë kjo për
vendin tonë, por edhe për Italinë, duke
qenë se është "vendi përballë", pra fqinj
i Shqipërisë?
Mendoj se futja e Shqipërisë në familjen
e madhe të Aleancës Atlantike duhet
konsideruar si një mirënjohje për të gjitha
sforcimet që vendi i ka kryer në mënyrë
pozitive.
Ne kemi mbështetur në mënyrë domethënëse
objektivin e integrimit euroatlantik
dhe jemi krenarë për rezultatin
e arritur.
Integrimi atlantik merr vlera që shkojnë
përtej mbrojtjes së vendit. Futja në NATO
do të thotë në fakt të jesh pjesë e një strukture
të integruar së bashku me Italinë
e me të tjera shtete. Parë në këtë optikë,
Shqipëria mund t‘i përforcojë më tej marrëdhëniet
dypalëshe me anëtarët e tjerë,
duke qenë kështu një pikë referimi për të
tërë rajonin e Ballkanit.
Natyrisht, përkatësia në një organizatë
si NATO sjell me vete edhe shumë të mira,
por në të njëjtën kohë, Shqipëria pa pritur
zyrtarizmin e hyrjes në NATO - ka treguar
se di të përballet me detyra të vështira:
flas këtu për pjesëmarrjen në misionet
paqeruajtëse në Afganistan e në Çad dhe
në rolin e saj në stabilizimin e Kosovës.
Shqipëria sot është një partner dinjitoz
dhe jam i bindur se një politikë efikase
tregu, një konsolidim i mëtejshëm i "rule
of law" dhe një forcim i stabilitetit politik
do të përbëjnë vlerën e shtuar që do t‘i
japë asaj mundësi të luajë - nga vëzhguesi
i privilegjuar në të cilën ndodhet - në një
rol të rëndësishëm "best practice" në nivel
rajonal dhe ndërkombëtar.
Për Italinë, integrimi Atlantik i Shqipërisë
sjell një ristrukturim të impenjimit
dhjetëravjeçar të bashkëpunimit teknikoburokratik
dhe ushtarak që ka dëshmuar
evoluimin e marrëdhënieve tona, të
cilat kanë kaluar nga asistenca në një
bashkëpunim të vërtetë edhe konceptual.
Italia do të ketë tashmë edhe një partner
tjetër në bashkëpunimin ushtarak në
Mesdhe dhe do të jetë si në të shkuarën,
një përzierje natyrale, gjeostrategjike e
Shqipërisë në zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›