E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Fier-Vlorë, punonjësit padisin në prokurori firmën

Plot 106 punonjës që po
punojnë në pjesën e autostradës
Levan-Vlorë,
nuk i kanë marrë pagat që
prej muajit janar. Firma e ndërtimit
"Pro Trans", që po kryen punimet
e rrugës në fjalë, jo vetëm që nuk
ka shlyer pagesën e tre muajve për
të gjithë punonjësit e saj, por prej
disa ditësh ka ndërprerë edhe
punimet. Ndonëse punonjësit e
papaguar kanë kërkuar herë pas
here shlyerje të detyrimeve, gjatë
këtyre tre muajve ende nuk kanë
marrë asnjë përgjigje prej pronarëve.
Ndërkohë, ata i janë drejtuar
Prokurorisë së Fierit dhe asaj të
Vlorës, për të denoncuar shkeljen
e kontratës që kanë nënshkruar
me drejtuesit e firmës "Pro Trans".
Ndërkohë, ka qenë vetë administrata
që ka dhënë listën e
punonjësve të papaguar, së bashku
me detyrimet financiare që u ka
firma, në mënyrë që ata të kishin
mundësi për t‘iu drejtuar
prokurorisë. Gazeta ka mundur të
sigurojë një kopje të listës me emrat
e punonjësve të papaguar dhe
pagat e pamarra. Shuma e tre
muajve për punonjësit e papaguar
arrin në afro 100 milionë lekë.
Punonjësit tregojnë për "Shqip" se
mes tyre ka me dhjetëra shoferë
automjetesh të tonazheve të rënda
që kryejnë transportin e inerteve,
si dhe mjaft traktoristë,
ekskavatoristë dhe punonjës të
tjerë që punojnë në këtë aks rrugor.
"Bëhet fjalë për 106 punonjës që
nuk janë paguar që nga mesi i
muajit janar. Na është premtuar
marrja e pagës në kohë. Kemi pritur
deri tani, por nuk kemi më asnjë
shpresë. Madje, drejtuesit e firmës
janë larguar nga puna", shprehet
për gazetën "Shqip" Petrit Kura,
njëri prej punonjësve të papaguar.
"Ne kemi nënshkruar kontratë me
firmën ‘Pro Trans‘ që në mars të vitit
2008, atëherë kur edhe nisën
punimet e autostradës Levan-
Vlorë. Që nga mesi i muajit janar, kjo
kontratë është shkelur nga drejtuesit
e firmës dhe ka bërë që familjet
tona sot të vuajnë për bukën e
gojës", thotë Myzafer Kanani, një
tjetër punonjës.
Ndërkohë, Shezai Taulla, një
nga punëtorët e revoltuar, tregon
se shumat e pagave që ata nuk
kanë marrë variojnë nga 45 000 lekë
të reja, deri në 120 mijë lekë të reja.
"Sot jemi pa bukë në shtëpi, pasi
mbajmë familjen me këtë pagë",
thotë Arjan Hysa, një tjetër punonjës.
Një përfaqësi e punonjësve të
papaguar ka kërkuar me dhjetëra
herë takim me përfaqësuesit e
firmës, por kërkesa e tyre nuk është
marrë asnjëherë parasysh.
Ndërkohë, ata thonë se i janë drejtuar
edhe prokurorive të Fierit dhe
Vlorës për të denoncuar shkeljen e
kontratës. "Kemi shkuar disa herë
në prokurori për të ngritur padi, por
nuk kemi mbaruar dot punë. Justifikimi
i vetëm që vjen prej atyre të
prokurorisë, është gjetja e emrit të
babait të një administratori slloven
që drejton firmën ‘Pro Trans‘", është
shprehur për "Shqip" Petrit Kura.
Firma "Pro Trans" është firmë sllovene
edhe është nënkontraktore
e firmës "Alpine", e cila ka fituar tenderin
për ndërtimin e autostradës
Levan-Vlorë. Administratori shqiptar
i firmës "Pro Trans" është
Shkumbin Bytyçi, të cilin punonjësit
nuk po munden ta takojnë që
prej disa ditësh. Ndërkohë,
punonjësit thonë se në këtë autostradë,
që prej disa ditësh janë
ndërprerë punimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›