Topalli në Shkodër: Ramës i mungojnë alternativat
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, pas takimeve në Elbasan ka zhvilluar disa takime në komunat e Postrribës, Grudës dhe Gurit të Zi në Shkodër. Këto takime Topalli i ka klasifikuar si ndarje gëzimi me këta banorë për hyrjen në NATO, por nga komunat e Shkodrës ajo nuk ka lënë pa sulmuar liderin socialist, Edi Rama. Më pas, duke folur për liderin socialist, Kryetarja e Parlamentit është shprehur se "ju në përgjithësi jeni qytetarë me një nerv të madh politik, ndiqni çdo gjë që ndodh dhe ndjekësve më të mirë të politikës unë do t‘u bëja një pyetje: A mbani mend gjatë gjithë dialogut të Edi Ramës në Shqipëri, apo nga enciklikat e Edi Ramës, t‘u ketë thënë ndonjë koncept, një frazë, të ketë dhënë një ide, të ketë thënë një fjalë që ka mbetur në mendjen tuaj? Dhe a dini pse nuk mbani mend asnjë frazë? Sepse ai nuk ka asnjë koncept dhe asnjë ide. Me përjashtim të një koncepti, të konceptit të lejeve të ndërtimit". Në fund të takimit në Postrrib, kryeparlamentarja ka folur edhe për investimet që janë bërë dhe po bëhen në këtë komunë, si rikonstruksioni i qendrës së komunës, rikonstruksioni në rrugën e Kalasë së Drishtit, të Kodër-Vorpsit, ndërtimi i ujësjellësit të Vorpsit etj.