E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia e veriut kërkon ekskluzivitetin për verën proseko

Në vitin 1984, Fabio Xardeto, shefi i prodhimit të vreshtave të familjes së tij në Italinë veriore, nuk la t‘i shpëtonte shansi për t‘u bërë një prej prodhuesve të parë që eksportonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prosekon, verën frixante paksa të athët, që tashmë po bëhet një prej të parapëlqyerave edhe në vendet me traditë.

Përpjekjet e para për t‘i shtyrë njerëzit të shijonin verën plot me flluskëza qenë të vështira. "Më duhej t‘i shtyja njerëzit të provonin prosekon", kujton Xardeto, sot pranë të pesëdhjetave. "I ndiqja nga pas e u thosha: Ju lutem, provojeni pak këtë. Kur e provonin, u linte një shije mjaft të këndshme". Shitjet për firmën e Xardeto-s në tregun amerikan kërcyen në 100 mijë arka në vitin 2007, nga vetëm 50 arka në vitin 1984.

Me shijen e freskët, flluskëzat e athëta dhe me çmimin e pranueshëm - në Amerikë shitet nga 10 në 20 dollarë për shishe - proseko ka bërë për vete shumë njerëz anembanë globit. Përqindjet e shitjeve në rang global janë shtuar me numra dyshifrorë, duke arritur në më shumë se 150 milionë shishe vitin e shkuar. Dhe në këtë çast të vështirë ekonomik, kur të gjithë kërkojnë të kursejnë sa të munden, po përdoret gjithnjë e më shumë si alternativa e shampanjës, çmimi i së cilës për më tepër është rritur.

Por me suksesin vijnë edhe problemet. Veriu i Italisë, prodhuesi tradicional i saj, është përfshirë në një betejë me produktet jashtë kësaj zone, ashtu siç ka ndodhur edhe me shampanjën, kushërira e saj më aristokrate në Francë. Një numër prodhuesish në zona të tjera të Italisë, por edhe nga vende aq të largëta siç është Brazili, po përpiqen të marrin "një fetë nga torta e fitimeve" që garanton ky produkt relativisht i ri. Pasi në fakt proseko është emri i një varieteti rrushi, ashtu si shardoneja apo kabërneti, gjë që lejon gjithkënd ta përdorë për të emërtuar produktet e veta.

Sot, rreth 60 për qind e sasisë totale të prosekos - rreth 8 milionë arka - vjen nga prodhues jashtë zonës ku rritet tradicionalisht varieteti proseko, rajoni Koneliano-Valdobiadene, një grup fshatrash rreth gjysmë ore larg me makinë nga Venecia. Të paftuarit nuk u përmbahen të njëjtave standarde strikte të prodhimit, ashtu siç veprojnë prodhuesit tradicionalë, të cilët për më tepër kontrollohen rreptësisht nga ligjet italiane mbi verërat.

Një produkt "Rich Prosecco" prodhohet nga një kompani austriake në etiketën e së cilës shfaqet Paris Hilton. Në disa prej shisheve, vajza e famshme shfaqet e zhveshur dhe e lyer me bojë ari. Më e keqja është se disa e prodhojnë në shishe të vogla, rreth 200 mililitra, që shiten në baret e pikave të furnizimit me karburant, ashtu si edhe në supermarkete për rreth 3 dollarë. "Diçka e tillë është vërtet vulgare", thotë Vitorio Zopi, menaxheri i marketingut të konsorciumit të prosekos.

Klaus Janke, shef marketingu dhe shitjesh në kompaninë e njohur "Rich", thotë se është mjaft konfuz lidhur me këtë produkt, i cili prodhohet me rrush italian. "Kemi investuar shumë para për t‘i bërë publicitet firmës sonë dhe për të promovuar prosekon. I kemi dhënë këtij rrushi të famshëm mundësinë të përhapet në gjithë botën".

Ndërkaq, prodhuesit italianë tremben se gjithë përhapja do ta dëmtojë imazhin e prosekos po aq shpejt sa edhe u bë produkt i pëlqyer në tërë botën. "Në rast se të gjithë anembanë botës do të nisin të mbjellin proseko, do ta humbasim vlerën e këtij emri", thotë Ludoviko Xhiustiniani, zëvendëspresident i një konsorciumi që përfaqëson 150 kantina vere në rajonin ku proseko prodhohet tradicionalisht.

Pas muajsh të gjatë debatesh, konsorciumi, bashkë me një grup më të gjerë kultivuesish e prodhuesish, ka përgatitur një plan që do të krijojë një zonë zyrtare të prodhimit të prosekos, e përqendruar ekskluzivisht në veri të Italisë. Vetëm verërat e prodhuara në këtë zonë do mund të etiketohen si produkt proseko. Në rast se plani do të aprovohet nga qeveria italiane - vendimi pritet të merret në fillim të vitit të ardhshëm - atëherë produktet e tyre do fitojnë statusin e mbrojtjes së origjinës nën ligjet e Bashkimit Evropian. "Kjo do bëjë që proseko të mbetet produkt italian dhe i askujt tjetër", thotë Xhankarlo Moreti Polegato, pronar i "Vila Sandi"-t, një prej kantinave më të mëdha të zonës.

Ose të paktën gjërat duhet të shkojnë kështu teorikisht. Mbrojtja nga ana e Bashkimit Evropian mund të shtrihet vetëm në 27 shtetet që bëjnë pjesë në të dhe, siç kanë zbuluar edhe prodhuesit e shampanjës, lipset një listë e gjatë policash e mekanizmash kontrolli.

Rajoni Shampanjë i Francës është përcaktuar zyrtarisht që nga viti 1927 si shtëpia autentike e verës që mban këtë emër, por organizata tregtare që e përfaqëson ende shpenzon miliona dollarë në luftën kundër verërave të gazuara që etiketohen me këtë emër. "Jemi të detyruar të shpenzojmë shumë para dhe energji për të mbrojtur produktin tonë", thotë Sem Heitner, drejtor i zyrës së markës ‘Shampanjë‘ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një grup tregtar që përfaqëson interesat e prodhuesve të shampanjës.

Së shpejti edhe prodhuesit e prosekos mund ta gjejnë veten të përfshirë në një luftë të ngjashme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›