E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohet kënga e kultura e shqiptarëve të Italisë

"Arbëreshë-shqiptarët e Italisë-historia, kultura, muzika" do të prezantohet më 3 janar 2009 në ambientet e kështjellës në Corigliano Calabro në Itali. Është suplementi që revista "Amadeus" ka publikuar në muajin dhjetor 2008. Përveç kësaj, aktiviteti do të shoqërohet edhe me punën e projektit "Luleborë" si dhe me CD-në "Luleborë". Këngë nga Arbëria dhe Shqipëria. Muzikantja dhe këngëtarja Anna Stratigò vjen e shoqëruar nga ansambli "Luleborë". Gjatë prezantimit të suplementit kushtuar shqiptarëve të Italisë, do të mbajnë fjalën Gaetano Santangelo (presidenti i fondacionit "Amadeus" dhe botues i "Amadeus", e përmuajshmja e muzikës së madhe"), Antonello Riçi (antropolog), Roberta Tuçi (etnomuzikologe), Donatella Laudadio etj. Gjatë këtij takimi, këngëtarja Anna Stratigò me ansamblin "Luleborë" do të këndojë disa këngë prej diskut. Muzika arbëreshe është cilësuar si mjaft komunikatave. Përveçse është mënyra shprehëse më e vjetër e këtij komuniteti që jeton prej më shumë se 400 vjetësh në Itali. Kujt i është dhënë mundësia të njihet me këtë muzikë është pasionuar në mënyrë të menjëhershme. Kështu ka ndodhur edhe me etnomuzikologët Ernesto de Martino e Diego Carpitella, të cilët ishin të parët që nisën t‘i regjistronin këngët arbëreshe në vitit 1954, gjatë studimeve të tyre në terren. Njësoj janë përfshirë me këto këngë edhe muzikantët e projektit "Luleborë". Të gjithë këta pjesëmarrës nuk përfaqësojnë "pjesëza arkeologjike", por një muzikë të vërtetë, të gjallë, që ushqehet vazhdimisht me bashkëpunime mes muzikantëve arbëreshë dhe atyre latinë. Ky është edhe aspekti i vazhdueshëm i transformimit të projektit "Luleborë". Synimi i projektit është vazhdimi i studimit të dy gjuhëve, asaj arbëreshe e latine, mes të cilave gjithnjë ka ekzistuar një lidhje e fortë. Në fondacionin "Amadeus", falë edhe kësaj lidhjeje të fortë, e falë dashamirësisë për kulturën në përgjithësi e në mënyrë të veçantë ndaj asaj shqiptare, është një kënaqësi promovimi i kulturës muzikore të shqiptaro-italianëve. Muzika dhe këngët e grupit "Luleborë" do të propozohen shumë shpejt edhe për publikun.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›