Italia kalon provimin, Spanja pajtohet me një pikë
Spanjë Itali 1-1
Shënues: Fabregas 63/ Di Natale 61
Spanja: Kasiljas, Arbeloa, Piké, Serxhio Ramos, Alba, Ksavi, Buskets, Ksabi Alonso, Silva (Hezus Navas 63), Fabregas (Torres 74), Injesta. Tr: Del Boske
Italia: Bufon, Bonuçi, De Rossi, Kielini, Maxhio, Markizio, Pirlo, Mota (Noçerino 89), Xhakerini, Baloteli (Di Natale 56), Kasano (Xhovinko 63). Tr: Prandeli.
Gjyqtar: Kasai (Hungari).
Kartonë të verdhë: Baloteli, Bonuçi, Kielini, Arbeloa, Torres, Maxhio.
Përfundon në paqe 1-1 ndeshja mes axurrëve dhe Demave në Danzika. Shënon i pari Di Natale, barazon Fabregas. Torres gabon golin e fitores
Italia del me një barazim nga ndeshja e parë delikate e Europianit 2012. Përballë kampionëve në fuqi të Spanjës, axurrët marrin një barazim 1-1, por jo pa sinjale pozitive. Pas një pjese të parë të mirë, me më shumë raste në krahasim me iberikët, Italia ka kaluar në epërsi në minutën e 61-të me Di Natalen, i cili sapo hyri në vend të Balotelit. Por 3 minuta më pas, barazon Fabregas. Një finale me emocione nga të dyja skuadrat, por barazimi në fund është i drejtë.
Një barazim si një fitore. Sfida e frikshme me Spanjën, 90 minutat që duhet të zbulonin ngadalësimin e padurueshëm italian, kanë nxjerrë në të vërtetë një tjetër Itali, të bashkuar, të fortë, e cila kërkon të kompensojë aftësitë e saj teknike, mungesën e vërtetë të udhëheqësve të saj të mëdhenj, me disiplinë, me ide.
Sa keq, që pas golit të bukur të Di Natales, nuk u mund të shmangej ai i barazimit, po aq i bukur, nga Fabregas. Ndoshta, ankthi i një krahu (spanjollët) dhe adrenalina e madhe, bindja se mund të arrihej (italianët), mund të kishin sjellë një sukses, por mirë është kështu.
NJË MUR AXURR Prandeli nuk bën një kundër-revolucion. Trajneri axurr konfirmon mbrojtjen me 3 lojtarë me De Rosin në qendër. Pirlo merr çelësat e mesfushës, me Tiago Motën e Markizion që e mbështesin dhe Xhakerini me Maxhion nga krahët. Në sulm, hapësirë për dyshen Kasano-Baloteli.
Nga ana tjetërr, një Spanjë e kujdesshme deri në teprim, me Del Bosken që zgjedh një skuadër të privuar pa sulmues: Fabregas është pika e referimit në sulm. Spanjollët e nisin mirë, por Italia mbrohet me De Rosin e Kielinin në mënyrë të përsosur.
Kasiljas devijon një goditje dënimi të Pirlos dhe një goditje të Kasanos nga afër, para se të bënte një mrekulli në fund të pjesës së parë pas goditjes me kokë të Tiago Motës.
DI NATALE-FABREGAS Pjesa e dytë nis pa zëvendësime. Por Prandeli më vonë nuk duron dhe zëvendëson Balotelin, i cili në pjesën e parë merr një karton të verdhë për një faull të kotë ndaj Jordi Albës dhe në pjesën e dytë vonohet të godasë në portë i vetëm përballë Kasiljasit, teksa Ramos ia largon topin nga këmbët.
Hyn Di Natale, që i duhen vetëm 5 minuta dhe shënon: pasim i artë i Pirlos dhe sulmuesi axurr gjunjëzon Kasiljasin: penalltia e humbur në Euro 2008, që i kushtoi Italisë skualifikimin, tashmë është pas krahëve. Iluzioni italian zgjat vetëm pak, pasi 3 minuta më pas, pas një pasimi të David Silvës dhe një shpërqendrimi të mbrojtjes së Prandelit, Fabregas barazon.
Bëhen zëvendësime nga të dyja krahët, por është Spanja ajo që merr kontrollin e ndeshjes, falë edhe hyrjes në fushë të Torresit, për autorin e golit iberik. Bufon hipnotizon sulmuesin e Çelsit, duke ia kapur topin me këmbë, para se Markizio të humbasë një rast të artë, duke goditur dobët në portën e Demave.
Benzina e Italisë mbaron, por është sërish Torres që humb golin e ndeshjes dhe të fitores për Spanjën, duke gabuar në një goditje parabol në portë, me Bufonin jashtë zone. Do të kishte qenë një goditje shumë e ashpër për axurrët, por Spanja meriton një çmim të merituar për lojën e prodhuar. Europiani sapo ka nisur dhe kjo Itali vetëm mund të rritet.
