Shumë e lehtë për Kroacinë Irlanda, kapitullon pa kushte!
Kroatët fitojnë bindshëm në Poznan. Sulmuesit Mandzukiç (dy herë) dhe Jelaviç mposhtën portierin Givën. St.Ledxher shënoi golin e barazimit të përkohshëm për irlandezët
Fillimi i mbarë është gjysma e punë! Kroacia ka fituar 3-1 ndaj Irlandës dhe është ngjitur në krye të Grupit C, duke përfituar nga barazimi i Spanjës me Italinë, në ndeshjen e luajtur dy orë më parë.
Kroatët hedhin një kandidaturë të fortë për të vazhduar më tej në çerekfinalet e Euro 2012, ndërsa irlandezët gjunjëzohen dhe tani i duhet një mrekulli e vërtetë sportive për tu kualifikuar. Kroacia e gjeti golin e parë pas vetëm tri minutash lojë, kur Mandzukiç pati fat dhe mposhti portierin Shei Givën.
Gjithsesi, në gjysmën e pjesës së parë, Irlanda barazoi rezultatin me armën e saj më të fortë, goditjet standarte. St.Ledxher u gjend në vendin e duhur, në momentin e duhur dhe mposhti portierin Pletikosa. Megjithatë, baraspesha zgjati deri dy minuta para fundit të pjesës së parë, kur gabimi i Uardit solli golin e dytë të kroatëve.
Mbrojtësi irlandez devijoi gabimisht një top në zonën e tij dhe i dha mundësinë sulmuesit Jelaviç të shënonte golin e avantazhit për të besuarit e Biliçit. Sapo nisi pjesa e dytë, Mario Mandzukiç shënoi golin e tretë, që i dha siguri Kroacisë.
Kroatët administruan deri në fund avantazhin e dyfishtë dhe Irlanda shfaqej e rrezikshme vetëm me topat në ajër. Ekipi i drejtuar nga Xhovani Trapatonit nuk pati fat në disa situata. Mesfushori Endrjus ishte në një natë negative, pasi të pesta tentativat e tij përfunduan jashtë kuadratit.
Kroacia fitoi me meritë dhe e ka moralin në qiellin e shtatë për ndeshjen e ardhshme ndaj Italisë. Ndërkohë, pas humbjes së djeshme në Poznan, Irlanda do të përballet me Spanjën më 14 qershor.
4 fitore radhazi ka arritur Kroacia në fazën me grupe të kampionatit europian. Fitorja ndaj Irlandës ishte e katërta, pasi në Euro 2008, skuadra e Biliçit fitoi në të tri ndeshjet e luajtura ndaj Austrisë, Gjermanisë dhe Polonisë.