E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, kapen me 50 kg drogë, në pranga 2 shqiptarë, 1 italian

BERGAMO- Dy shtetas shqiptar dhe një italian janë arrestuar nga policia italiane pas një ndjekjeje të vërtetë policeske si dhe sekuestrimit të një sasie prej 50 kg mariuanë. Arrestimi i tyre u bë nga karabinierët e Luinos në autostradën A8 Varese- Milano.

Në momentin kur tre të arrestuarit kishin parë se ishin piketuar nga policia, në bordin e një furgoni dhe një mercedezi, tentuan të largohen në drejtim të Venecias.

Fillimisht policia kishte menduar se njëri prej të arrestuarve ishte shtetas slloven, por më pas zbuloi se ishte shqiptar me dokumente false. Të arrestuarve shqiptarë nuk u bëhet i ditur emri por vetëm mosha, 36 dhe 29 vjec.

Dy shqiptarët kishin hipur në makinën tip Mercedez, ndërsa italiani drejtonte furgonin ku dhe u sekuestrua lënda narkotike.

Ndjekja e policisë vazhdoi deri në Seriate, provincë e Bergamos, pasi të arrestuarit kishin bërë disa manovra të rrezikshme dhe tentativa për t’i shpëtuar prangosjes.

Droga ishte paketur në 24 paketë me nga 2 kg secila dhe ishte vendosur në një kuti kartoni. Nga droga e hedhur në treg do të përfitoheshin 350 mijë euro, bëjnë të ditur investigatorët, për mediat italiane. Policia sekuetroi 2 makinat si dhe 5 mijë euro.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›