Italia kundër Murinjos: Kontrollo gjestet dhe tonet
Gjykata Sportive dje e ka pezulluar Zhoze Murinjo për tri ndeshje dhe e ka gjobitur me 40 mijë euro për sjelljet gjatë ndeshjes, në “veçanti për gjestin e ‘prangave’, për sulmin verbal ndaj gjyqtarit në tunel në pushimin mes dy pjesëve dhe për fyerjet ndaj asistentëve”. Interi e paguan shtrenjtë natën e nervave: të ndëshkuar për dy ndeshje janë edhe lojtarët Kambiaso e Muntari të përfshirë në një sherr në tunel dhe nga një për Samuel e Kordoba. Pas polemikës lidhur me gjykimin e Inter-Sampdorias, me zikaltërit që mbetën me nëntë lojtarë dhe Murinjos që sulmoi gjyqtarin Taljalvento në tunelin e dhomave të zhveshjes dhe gjestit të tij të prangave në fushë, ndërhyn presidenti i “Figc”, Xhankarlo Abete, i cili bën apel për më shumë vetëkontroll dhe ulje të toneve. Ky referim është mbi të gjitha për Mou, edhe pse nuk përmendet me emër. Sipas Abetes, “gjestet krijojnë një irritim që nuk justifikohet nga faza që ai po kalon. Kjo është një fazë delikate, duhet respekt për të gjithë protagonistët e tjerë të futbollit, sepse një futboll i irrituar nuk është i mirë”. Thirrja e tij i drejtohet trajnerëve, lojtarëve, klubeve. “Duhet aftësi për të qenë protagonist i një tip kulture, që respekton sportin dhe jo të reagojnë të nxitur nga situata e nivelit individual. Por të çojmë përpara vlerat e përbashkëta”. Më pas flet vetë presidenti i Interit, i cili të shtunën në mbrëmje ka pasur një telefonatë konsultuese me presidentin e “Figc”, Abete. Ai ka prekur edhe temën e gjestit të duarve të kryqëzuara, që nënkuptojnë prangat, të bërë nga Zhoze Murinjo gjatë ndeshjes kundër Sampdorias. “çfarë do të thotë? E ka bërë ai, ai e di dhe atij duhet t’i kërkoni shpjegim. Ndoshta donte të thoshte, që dëshirojnë të na ndalin me çdo kusht”, ka hedhur hipotezën Morati, i cili ka parë të shtunën Interin e tij të barazonte me nëntë lojtarë. Lufta mes Murinjos dhe koalicionit të Serisë A po merr përmasa më të gjera, pas deklaratës të Adriano Galianit, që e porosit Murinjon ta mbyllë gojën para se të jetë shumë vonë. Murinjo ka urdhëruar heshtje për shtyp nga ekipi e tij. “Ne kurrë nuk bëjmë thirrje për heshtje mediatike, pa marrë parasysh çfarë thotë shtypi për ne. Kjo nuk lejohet në sportet profesioniste në SHBA dhe në Champions League. Dhe Murinjo duhet të mos bëjë më gjeste të tilla. Ata nxisin dhunë dhe është koha që Murinjo ta mbyllë gojën, para se të jetë vonë”, përfundoi Galiani.
#