E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi: Kemi ecuri pozitive kundër skuadrave gjermaneve

Champions Sulmuesi i Barçës paralajmëron Shtutgartin përpara sfidës në Champions League

Zakonisht kur lojtarët e mëdhenj fitojnë famë, pasuri dhe suksese, problemi kryesor bëhet humbja e stimujve për të vazhduar të dominojnë arenën e futbollit. Por, kjo gjë nuk ndodh me Lionel Mesin. Barcelona e tij arriti të triumfonte në Champions League gjatë sezonit të kaluar, ndërsa arritën të fitonin gjashtë trofe brenda një sezoni. Trofeut më prestigjioz për klube në Europë iu shtuan edhe titulli në Spanjë, Kupa e Mbretit, Superkupa spanjolle, Superkupa e Europës dhe Botërori për klube. Në aspektin individual, sulmuesi argjentinas u përfshi në “Skuadrën e Vitit” të UEFA-s, fitoi “Topin e Artë” dhe çmimin e FIFA-s, si “Lojtari më i Mirë i Vitit”. Pavarësisht të gjithë këtyre sukseseve, lojtarët e Shtutgartit, rivalët e ardhshëm të Lionel Mesit në 1/8-at e Ligës së Kampioneve, duhet të jenë të kujdesshëm, pasi 22-vjeçari ka ende shumë “uri” për të fituar. “Me triumfet e sezonit të kaluar kemi shkruar një faqe të historisë, por synojmë që të vazhdojmë në këtë rrugë”, deklaroi Mesi. “Duhet ta shfrytëzojmë faktin që kjo është një skuadër fantastike, të gjithë jemi të këtij mendimi. Ky është një moment i jashtëzakonshëm për Barcelonën, lojtarët dhe stafin teknik. Nëse do të vazhdojmë të punojmë me seriozitet dhe profesionalizëm, hap pas hapi do të fitojmë edhe më shumë trofe. Ky është motivimi që na nevojitet. Do të ishte mjaft bukur, nëse do të ishim skuadra e parë që arrin ta fitojë Champions dy herë radhazi. Duhet të presim dhe të shohim nëse do ta realizojmë këtë objektiv”.

Në sfidën e sotme në “Mercedes-Benz Arena”, trajneri Pep Guardiola nuk do të ketë në dispozicion të dëmtuarit Erik Abidal dhe Sejdu Keita, ndërsa Daniel Alvesh dhe Ksavi Hernandez janë në dyshim. Këto mund të jenë arsye të forta që Barça t’i marrë seriozisht paralajmërimet e Mesit. “Skuadrat gjermane janë gjithmonë kundërshtarë të vështirë”, tha ai. “Pavarësisht kësaj, së fundmi ne kemi një ecuri të mirë kundër ekipeve të Bundesligës. Fakti që takimin e kthimit e luajmë në ‘Kamp Nou’ është shumë pozitiv. Do të jemi gati për këtë test dhe ashtu si e kërkon mentaliteti i Barçës, ne udhëtojmë drejt Gjermanisë me synimin që të fitojmë në takimin e parë, për të qenë më të qetë në ndeshjen e dytë”. Statistikat mbështesin fjalët e Mesit: në pesë sfidat e fundit në Gjermani, “blaugranat” kanë regjistruar tri fitore dhe barazime. Përballja e fundit është ajo në çerekfinalet e edicionit të kaluar të Championsit me Bajernin, ku ndeshja në “Alinz Arena” përfundoi në barazim 1-1, ndërsa katalanët u kualifikuan me rezultatin e përgjithshëm 5-1. Ardhja e Guardiolës në verën e vitit 2008 rezultoi një lëvizje e suksesshme. Skuadra i dha fund “agjërimit” me dy edicione pa trofe, e tashmë praktikon një futboll mjaft spektakolar. Rreth këtyre ndryshimeve, Mesi shtoi: “Stili i lojës bën që Barcelona të prodhojë spektakël dhe rezultate. Kjo përbën një avantazh edhe për ne sulmuesit, pasi skuadra krijon shumë raste për shënim”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›