Italia miraton planin e kursimit
Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit ka fituar mbështetjen e nevojshme për planin e kursimit në vlerë prej 25 miliardë eurosh. Dhoma e Ulët e Parlamentit do ta miratojë sot definitivisht këtë plan, i cili do të hyjë në fuqi si ligj sapo ta nënshkruajë Presidenti i Italisë, njoftojnë agjencitë. Plani i kursimit parasheh zvogëlimin e shpenzimeve, ngrirjen e pagave për shumicën e të punësuarve në sektorin publik dhe fundin e evazionit fiskal. Derisa qeveria në Romë thekson se këto masa janë të domosdoshme për t’iu shmangur krizës së borxheve të ngjashme me atë në Greqi, opozita italiane e qendrës së majtë ka kritikuar paketën e masave, duke thënë se do të godasë punëtorët, e do të kursejë të pasurit.
#