Italia sjell të kërkuarin për trafik femrash
Ekstradohet nga Italia një i kërkuar për trafik femrash. Policia e Shtetit deklaroi dje se nga Interpol-Tirana u bë ekstradimi i shqiptarit Klodian Zeka. Ai u soll nga Milano e Italisë drejt Shqipërisë. Sipas të dhënave nga Interpol-Tirana, ky person kërkohej, pasi akuzohet për trafikimin e një vajze nga Shqipëria në Angli. Sipas të dhënave, gjatë muajve të parë të vitit 2002, i pandehuri Zeka, në bashkëpunim me Elvis Poçarin dhe Hidajet Kaçelin, kanë tentuar të trafikojnë drejt Anglisë Marsuela Kukën, me qëllim shfrytëzimin e saj për prostitucion. Klodian Zeka, pasi nuk ka realizuar qëllimin kriminal të trafikimit të shtetases së sipërpërmendur, është kthyer me të në Tiranë dhe e ka mbajtur atë me forcë në banesa të ndryshme, duke kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. E dëmtuara, në atë kohë ishte vetëm 16 vjeçe. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin numër 400, datë 20 prill 2004, e ka dënuar Klodian Zekën me 16 vjet heqje lirie, për veprën penale të trafikimit të femrave për prostitucion mbetur në tentativë dhe kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç. Vendimi i shkallës së parë është apeluar në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila me vendimin nr. 764, datë 11 nëntor 2004, e ka ndryshuar vendimin nr. 400/2002 për sa i përket masës së dënimit, duke e ulur atë nga 16 në 10 vjet burg. Në bazë të Konventës Evropiane mbi Ekstradimin, organet e drejtësisë kanë kërkuar ekstradimin nga Milano të shtetasit në fjalë, në mënyrë që të vuajë dënimin në vendin tonë. Në Aeroportin e Rinasit, ai i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.