Nxënësi godet me grusht mësuesin
• DELVINE - Festa e 7 Marsit nuk ka qenë aspak e tillë për një mësues të shkollës së mesme "Sulejman Delvina", në Delvinë. Kjo, pasi pikërisht në këtë ditë, një ish-nxënës i tij e ka goditur atë në fytyre.Burime pranë komisariatit të policisë së Delvinës, ngjarja e shëmtuar ka ndodhur dje në oborrin e shkollës së mesme të këtij qyteti. Sipas burimeve, Agim Brahimaj, 18 vjeç, ish- nxënës i kësaj shkolle, është futur dje në orët e paradites në oborrin e saj. Ndërkohë që qëndronte aty, ai është përballur me mësuesin Luan Kabo, mësues, i cili e kishte ngelur në klasë një vit më parë. Në këtë moment ai është drejtuar nga ai dhe e ka goditur mësuesin me grusht në fytyrë. Mësuesi, i cili nuk ka mundur ta parashikojë një veprim të tillë, i dëmtuar dhe i gjakosur ka shkuar në sallën e mësuesve dhe prej andej në komisariatin e policisë. Mësohet se ai kë bërë një kallëzim penal për 18-vjeçarin, Brahimaj. Më pas ai është drejtuar për në spitalin e qytetit, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Menjëherë pas kallëzimit, një grup i gatshëm i policisë së Delvinës janë vënë në ndjekje të 18-vjeçarit dhe brenda pak minutash kanë bërë të mundur ndalimin e tij. Pas ndalimit nga uniformat blu, Brahimaj është shoqëruar për në mjediset e komisariatin e policisë, ku është mbajtur për 10 orë dhe më pas është lënë në gjendje të lirë. Burimet bëjnë të ditur se, materialet dhe dokumentacioni në ngarkim të 18-vjeçarit Brahimaj, i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme, ndërkohë që për të është vendosur të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Të njëjtat burime policore bëjnë të ditur gjithashtu se, Kabo, i cili aktualisht studion në shkollën e mesme profesionale të Mesopotamit, rreth 15 km larg qytetit të Delvinës, e ka goditur ish-mësuesin e tij, sepse ky i fundit e ka lënë në klasë. sh.d