Italianët duan Monika Beluçin përkrah Berluskonit
Pas ndarjes së tij nga Veronika Lario kush do të jetë përkrah kryeministrit Silvio Berluskoni? Kjo është pyetja që shumë italianë ja drejtojnë vetes apo njëri-tjetrit. Nisur nga ky interes, e përjavshmja italiane “Divi e donna” ka intervistuar 560 njerëz të moshave 18-65 vjeç dhe të gjinive të ndryshme. Rezulton se 21 për qind e të anketuarve duan që Berluskoni të ketë krah tij si zonjën e parë të italianëve aktoren Monika Beluçi. Arsyetimi? Le të bëjë dhe Berluskoni si Nikola Sarkozi me Karla Brunin. Një lider ka nevojë për një grua elegante, të bukur dhe shumë inteligjente. Ndërsa 18 për qind e të anketuarve mendojnë se më e përshtatshmja për Berluskonin do të qe gruaja e sipërmarrësit Tronketi Provera, Afef Jnifen. Por ka 15 për qind të tyre që mendojnë se Berluskoni do të shkonte shumë me Simona Venturën. Dhe fantazia nuk njeh limite; ndër emrat e përmendur si femra ideale për Berluskonin kemi Sheron Stonin (14%), princeshën Karolina të Monakos (12%), ish velinën e “Anno Zero” Beatriçe Borromeo (8%) dhe vetëm për të parë se cili nga të dy do të zhdukej i pari duan Ana Kanakis (5%), një bukuri klasike mesdhetare që një tjetër sondazh e ka kurorëzuar ndër gratë italiane më të dëshiruara nga turistët e Europës Veriore.
1 Korrik 2009