E Diel, 1 Nëntor 2026

Italianët i dhurojnë një motovedetë Forcave Detare Shqiptare



DURRËS - Roja bregdetare shqiptare do të ketë një motovedetë më shumë për operacionet e kërkim shpëtimit në det. Kjo është anija e 13-të ushtarake italiane që i dhurohet forcave tona detare, duke mbyllur një cikël që ka nisur në vitin 2002 me dhurimin e 5 motovedetave dhe ka vazhduar me dorëzimin e 7 motovedetave të tjera në vitin 2004. Gjatë një ceremonie të organizuar mbrëmjen e djeshme në kalatën 5 të portit detar të Durrësit në motovedetën R 121 u ngrit për herë të parë flamuri shqiptar, të cilin do të mbajë kjo anije ushtarake. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, vlerësoi ndihmën e qeverisë dhe të popullit italian në arritjen e standardeve të NATO-s, duke nënvizuar rëndësinë që ka forcimi i flotiljes sonë detare në zbatimin e ligjshmërisë në det. Ndërsa zëvendësambasadori i Italisë në vendin tonë, Francesco de Luigi, tha se “kjo ceremoni që zyrtarizon dorëzimin e motovedetës nga ana e trupës së Kapitenerisë së porteve italiane është një konfirmim i prekshëm i angazhimit të Italisë në bashkëpunimin mes forcave të Armatosura të të dy vendeve”. Në ceremoni përshëndeti komandanti i Brigadës detare, kapiten i rangut të parë, Kristaq Gerveni dhe komandanti i Delegacionit italian të ekspertëve, gjeneral brigade, Aldo Piccotti.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›