Presidenti dekreton lëvizjet e shtatë prokurorëve
TIRANË – Kryeprokurorja Ina Rama firmos emërimet e 7 prokurorëve. Sipas burimeve, këto lëvizje bëhen në kuadrin e reformës në prokuroritë e rretheve gjyqësore për rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se lëvizjet më të fundit të prokurorëve në disa nga prokuroritë e rretheve gjyqësore mbajnë firmën e kryeprokurores Ina Rama. Kështu, në detyrën e zëvendësprokurorit të rrethit të Tiranës është emëruar prokurori Kutusi Shahu, i cili do të zëvendësojë në këtë funksion prokurorin Adriatik Nelaj. Ky i fundit kalon prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Tiranës. Në krye të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Sarandë është emëruar prokurori Alfred Agolli. Ndërkohë që në detyrën e kryetarit të Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër është emëruar prokurori Alfred Salihaj, ndërsa kryeprokuror i rrethit të Matit është caktuar prokurori Lazër Çardaku. Reforma ka përfshirë gjithashtu Prokurorinë e rrethit të Lezhës, ku zëvendësprokuror i saj është caktuar prokurori Arben Agovi, i cili do të zëvendësojë prokurorin Arben Dalipi. Prokurorët e zëvendësuar janë transferuar në detyra të reja në prokuroritë e rretheve gjyqësore.
20 Qershor 2008