E Diel, 1 Nëntor 2026

Italianët kapin 760 kg hashash që vinte nga Shqipëria, me vlerë 8 milionë euro

16/12/2011  Arrestohet shoferi shqiptar, 39 vjeç që solli drogën me kamion

ITALI- Komanda e Guardia di Financës në Bari të Italisë, në bashkëpunim me zyrtarët lokalë të Byrosë së Doganave dhe me ndihmën e qenve antidrogë kapën dje 760 kilogramë marihuanë, si dhe arrestuan shoferin shqiptar. Droga po transportohej në bordin e një kamioni që zbarkoi nga anija “Samsun”, e cila vinte nga Shqipëria. Forcat ushtarake të Guardia di Financës, gjatë kontrollit të makinës filluan të kishin dyshime për vendosjen e parregullt të mallrave në kamion. Prandaj pak më vonë vazhduan një monitorim të kujdesshëm të mallrave, derisa arritën të zbulonin një zgavër që ishte krijuar në mes të trupit dhe kabinës së makinës. Kësisoj, brenda kësaj zgavre është gjetur sasia e madhe e drogës, e cila ishte mbushur me kujdes, pasi ishte ndarë 685 pako. Nëse marihuana do të shitej në treg, pronarët e saj do të kishin fituar më shumë se 8 milionë euro. Shoferi i kamionit, një shqiptar 39 vjeç, që jeton në Bari të Italisë, është arrestuar për trafikim ndërkombëtar të drogës. Tashmë ai është vënë në dispozicion të gjykatës. Muajt e fundit janë shndërruar në lumenj të vërtetë hashashi që zbarkon në Itali, e nisur me anije nga brigjet shqiptare. Sasia e hashashit të kapur këtyre muajve i kalon disa ton, ndërsa vetë kreu i Prokurorisë së Leçes deklaroi pak javë më parë se Shqipëria mbetet furnizuesi kryesor i Italisë me hashash. Në shumicën e rasteve është konfirmuar se droga është nisur nga Shqipëria, ndërsa të tjerat janë ende në hetim. M.Mullai

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›