E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 2 kosovarëve, vodhën ar e diamante, vlera 730 mijë euro

16/12/2011  Grabitja e historia e 6 muajve hetimi. Arrestimi gjatë shitjes së mallit te varrezat

DUBAI- Ngritja e pjacës së hajdutëve shqiptarë nëpër botë kulmoi këto ditë, kur policia e Arabisë Saudite prangosi 2 kosovarë që akuzohen si grabitës të një sasie ari dhe diamanti me vlerë 730 mijë euro, ose 3.5 milionë dirham (valuta arabe). Historia nis në korrik, ndërsa durimi, përkushtimi dhe profesionalizmi i oficerëve arabë u shpërblye 6 muaj më vonë me arrestimin e autorëve dhe gjetjen e arit e diamanteve.

Grabitja e bizhuterive

Lajmi mësohet nga mediet e Arabisë Saudite, të cilat shkruajnë se verën e këtij viti, rreth mesnatës, dy burra të maskuar thyen me forcë një dyqan stolish dhe grabitën rreth 3.5 milionë ar dhe diamante. Ata lanë vetëm kasafortat bosh, ndërsa policia thotë se brenda pak orëve pas grabitjes më 19 korrik të këtij viti, hajdutët kishin fluturuar jashtë vendit. Por në fund të muajit të kaluar, policia arrestoi një prej tyre. Historia filloi kur oficeri mori një raport rreth orës 10.00 të 20 korrikut. “Patrullat shkuan në vendngjarje sapo morën raportin dhe u përpoqëm të parandalonim zhdukjen e ndonjë prove”,- thotë Col Mohammed Nasser, zëvendësdrejtor i Policisë së Dubait CID. Policia gjeti vetëm pamjet filmime, pa fytyra, pasi ishin të maskuar. Disa mjete ishin fshehur poshtë kondicionerit, por në asnjë vend nuk u gjetën shenja gishtash.

3 ekipet e hetimit

Rreth 62 policë u caktuan në hetimin e kësaj çështjeje. Hapi i parë ishte që të njoftoheshin të gjitha pikat e kufirit rreth artikujve të vjedhur, për të siguruar se ato nuk do të kontrabandoheshin jashtë shtetit. Një tjetër ekip ishte i ngarkuar me identifikimin e burimit të mjeteve të përdorura në grabitje, ndërsa grupi i tretë i ekspertëve filloi të kërkonte për të dyshuar në hotelet e Dubait. “Ne patëm një parandjenjë se ata nuk ishin banorë të vendit për shkak të mënyrës sesi ishin veshur”,- tha Lt Col Ahmed Al Merri, kreu i CID. Një pronar dyqani në Al Muraqabat identifikoi mjetet dhe dha disa përshkrime të përgjithshme të njerëzve që i kishin blerë ato. Detajet përkonin me dy njerëzit e filmuar në ÇTV. Përshkrimet ngushtuan kërkimet në hotele dhe përfundimisht zyrtarët identifikuan dy shtetas nga Kosova që kishin lënë Arabinë Saudite më 20 korrik, pra fiks një ditë pas grabitjes. Policia i identifikoi me inicialet R. N. dhe A.R. të dy rreth 30 vjeç. “Të dy kishin ardhur në Arabinë Saudite 6 ditë para grabitjes për të kërkuar një objektiv. Ata zgjodhën një depo me një shkallë të vogël në çati, në një rrugicë të vogël në vendin e quajtur Gold Souq in Al Naif”,-tha policia.

Arrestimi gjatë shitjes

Hetuesit në pikat kufitare, ndërkohë kishin përcaktuar se bizhuteritë e vjedhura nuk ishin nxjerrë jashtë vendit. Mediet arabe shkruajnë se një burim i policisë, i cili në ato momente ndodhej në Shqipëri konfirmoi se R. N. dhe A.R. ishin në Kosovë dhe kishin precedentë penalë. “Ne nuk mund të lëshonin një urdhër-arresti kundër tyre, kështu që vendosëm të presim. Patëm një parandjenjë se ata do të ktheheshin”,- tha nënkoloneli Al Merri. Një ekip i veçantë ishte vendosur aeroportin ndërkombëtar të Dubait për të siguruar kthimin e tyre, pa u vënë re. Më 26 nëntor, policia mori informacion nga burimi shqiptar që R.N dhe A.R kishin rregulluar një marrëveshje për t’ua shitur arin dhe bizhuteritë dy tregtarëve, të identifikuar si A.H dhe M.SH. Një kusht i shitjes ishte që mallrat duhej të dorëzoheshin personalisht. Të nesërmen, R.N dhe dy tregtarët mbërritën në Dubai dhe u vendosën në një hotel. “Ata ishin vënë nën vëzhgim dhe u larguan në këmbë”,- tha Lt Kolonel Al Merri. Më 30 nëntor, rreth orës 02:00, R.N la hotelin dhe shkoi në një varrezë të braktisur në Al Naif, ku kërceu murin dhe pesë minuta më vonë u kthye me një qese në dorë. Pasi arriti në hotel, ai u takua me dy tregtarët. Pastaj u arrestua. “Ne donim të merrnim arin dhe ishim të bindur se ata nuk e kishin marrë atë jashtë vendit. Nuk ka asnjë gëzim në punën tonë, kur ne nuk mundemi të rimarrim paratë dhe sendet që u janë vjedhur njerëzve apo bizneseve. Prandaj, ishim të durueshëm”,- përfundon rrëfimin e tij për mediet arabe Lt Kolonel Al Merri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›